Mickoski: Pres të ketë census më 5 maj


Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski pret të arrihet censusi në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale më 5 maj.

“President i ardhshëm i Republikës së Maqedonisë është prof. Gordana Siljanovska- Davkova. Pres të ketë census më 5 maj”, tha Mickoski në pyetjen e gazetarëve pas pranisë në liturgjinë e Pashkëve në katedralen “Shën Kliment i Ohrit”.

I pyetur nëse do të merr përgjegjësi nëse humb kandidati i tyre në zgjedhjet ai me përgjigje:

“Kuptohet se çdo garë zgjedhore është moment kur duhet të shqyrtohen angazhimet dhe politikat. Por, ne me rrethin e parë treguam se VMRO-DPMNE është konsoliduar, se fort qëndron në këmbë. Ka fituar në 47 komuna të Republikës së Maqedonisë, ka marrë 42.5 për qind të votave në ato të cilët vendosën të dalin në rrethin e parë. Unë as që mendoj se ka ndonjë opsion tjetër për RM-në dhe qytetarët përveç opsionit se Siljanovska- Davkova është presidente e ardhshme e RM-së. Kuptohet se Shtabi republikan zgjedhor do të prezantojë raport për punën, ndërsa Komiteti qendror është ai i cili do të vendos se në ç’drejtim partia do të lëviz”, ka thënë Mickoski.

Lidhur me Ligjin për Prokurorinë publike me të cilin zgjidhet statusi i ardhshëm i PSP-së, Mickoski ka thënë se grupet e punës punojnë, por që për momentin fokusi është në zgjedhjet presidenciale, me çka pret zgjidhje për ligjin.

“Por edhe tani LSDM ka mundësi, le t’i pranojë amendamentet që opozita i propozon dhe menjëherë të shkojmë në Kuvend dhe t’i votojmë ligjet”, shton Mickoski.

I pyetur për pastrimet në LSDM ai tha se nuk beson se do del diçka nga ajo. Sipas tij, “fshesa” do të fillojë menjëherë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare kur pushteti aktual siç thotë, “do ta merr pozicionin e merituar në anën e errët të historisë”.

Duke komentuar deklaratën e Ziadin Selës të Aleancës për Shqiptarët lidhur me atë nëse do t’i ftojë votuesit e Blerim Rekës të dalin dhe të votojnë në rrethin e dytë të zgjedhjeve, pret  që qëndrimin përfundimtar ta thotë kryesia e partisë të enjten.

“Deklarata e tij është në drejtim të përmirësimit të demokracisë, të asaj që është esencë në demokraci, ata janë qytetarët të cilët janë të pavarur mbi të drejtën e tyre nëse do të votojnë apo jo. Nëse votojnë të vendosin se si do të veprojnë më 5 maj në rrethin e dytë. Absolutisht nuk pajtohem se ajo është në drejtim të abstenimit. Është në drejtim të përmirësimit dhe forcimit të kapaciteteve demokratike të shtetit”, thekson Mickoski.