Menduh Thaçi takoi treshen e deputetëve të Parlamentit Evropian


Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, sot në Bruksel ka takuar në një takim të përbashkët deputetët e Parlamentit Evropian, Ivo Vajgël, (Grupi i Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve për Europën) njëherë edhe raportues për Maqedoninë në PE, Eduard Kukan (Grupi i Partisë Popullore Evropiane) dhe Knut Fleckenstein, (Grupi i Partisë Socialiste Europiane), që aktualisht shërben si zëvendës-president përgjegjës për politikën e jashtme dhe të drejtat e njeriut.

Në këtë takim janë diskutuar temat aktuale politike në Maqedoni dhe rajon, si dhe proceset integruese të Maqedonisë në NATO dhe BE. Kryetari Thaçi e vlerësoi si hap shumë pozitiv arritjen e marrëveshjes për kontestin e emrit me Greqinë që e hap rrugën e integrimit të vendit në strukturat Euro-atlantike dheqë do të ndihmojë për konsolidimin e paqes dhe stabilitetit në gjithë Ballkanin Perëndimor.

Gjithashtu Kryetari Thaçi potencoi se procesi Euro-Atlantik është prioritet absolut për Partinë Demokratike Shqiptare dhe shqiptarët e Maqedonisë dhe i siguroi bashkëbiseduesit për përkushtim maksimal të PDSH-së dhe të qeverisë drejt procesit të reformave, duke shprehur bindjen se Këshilli i BE-së do t’i ndajë Maqedonisë datë për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Duke e vlerësuar këtë periudhë si shumë të rëndësishme për integrimet tona euro-atlantike, Kryetari Thaçi në takim kërkoi mbështetjen e plotë të miqve tanë ndërkombëtar, si dhe bëri thirrje për hapjen e bisedimeve të vendeve të Bashkimit Evropian për anëtarësimin e Maqedonisë në BE. Bashkëbiseduesit u pajtuan që duhet të jepet kontribut maksimal për integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike, dhe se në këtë drejtim rikthimi i dialogut të mirëfilltë politik është me rëndësi të veçantë, ku të gjitha palët duhet të mbajnë pjesën e tyre të përgjegjësisë dhe të ndihmojnë lëvizjen e proceseve përpara drejt integrimit në NATO dhe BE.