Më 10 prill do të dëgjohen disqet për mercedesin e Gruevskit


Në Gjykatën Penale në Shkup sot u mbajt seanca e re e lëndës “Tank” e PSP-së në të cilën të akuzuar janë  ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ish-ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankulloska dhe ish-ndihmës ministri në MPB, Gjoko Popovski, për furnizimin e mercedesit luksoz prej 600 mijë eurosh.

Prokurorët kanë marrë në pyetje pesë dëshmitarë prej të cilëve tre të punësuar në MPB dhe dy të punësuar në kompaninë “Mak Autostar” në vitin 2012.

Njëri nga dëshmitarët i MPB-së, i cili ka kryer pranimin e “mercedesit”, tha se e ka krahasuar dokumentacionin teknik me të që e kanë marrë dhe tha se vetëm ka pasur vërejtje se gomat e automjetit janë me datë më  të vjetër të prodhimit.

Gjykatësi në një moment e ka ndërprerë gjykimin dhe i ka paralajmëruar të akuzuarit Gruevskin dhe Jankullovskën të shkyçin celularët dhe të mos dërgojnë mesazhe.

Seanca e ardhshme është caktuar për më 10 prill, kur duhet të merren në pyetje edhe tre dëshmitarë të akuzës, do të merren në pyetje disqet, ndërsa do të prezantohen edhe dëshmi të tjera materiale.

Ish-kryeministri Gruevski pas seancës i ka komentuar deklaratat e dëshmitarëve për të cilët tha se janë prononcuar se e gjithë procedura ka qenë ligjore dhe ka shtuar se shihet manipulimi i PSP-së se kryen ndjekje politike mbi të dhe bashkëpunëtorët e tij.

Sipas aktakuzës, në periudhën nga shkurti deri në fund të tetorit të vitit 2012 Nikolla Gruevski si person zyrtar i ka shfrytëzuar ndikimin dhe pozitën zyrtare dhe ka kërkuar nga ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankulloska, të realizojë furnizim publik në të cilin Ministria do të blejë automjet të ri të blinduar “mercedes”, modeli “C-600 gard”, ndërsa në procedurë është favorizuar operatori ekonomik M.A. SHPKNJP, përfaqësues i përgjithshëm dhe distributor i automjeteve nga brendi “Mercedes”.