Mbyllet rasti “Sopoti”, 11 banorët lirohen nga akuza


Prokuroria Speciale ka mbyllur rastin “Sopoti”, në mungesë të fakteve lidhur me akuzën për terrorizëm për 11 banorët e fshatit Sopot të Kumanovës.
Sipas prokurorëve të Prokurorisë Speciale, në fjalën përfundimtare para trupit gjykues thanë se si dëshmi e vetme është marrë deklarata e Ramadan Bajramit i cili me torturë psiko-fizike është detyruar të japë deklaratë të rrejshme.

Të akuzuar në këtë vepër ishin 11 persona, ku njëri ka ndërruar jetë, 4 mbeten ende të pakapshëm për organet e rendit, kurse 6 të akuzuarit që ishin të pranishëm në seancë thanë se do të kërkojnë dëmshpërblim për burgun që vuajtën.

Ata ishin dënuar me mbi 150 vjet burg për një shpërthim që kishte ndodhur në fshatin e tyre, që ndodhet afër kufirit me Serbinë. Nga shpërthimi i një mine kishin humbur jetën dy ushtarë polak të forcave të NATO-së dhe një shoqërues civil.