Matis në Shkup: Duke u bërë pjesë e Aleancës, ju do të fitoni siguri më të madhe

Sekretari amerikan i mbrojtjes , Xhejms Matis ftoi qytetarët e Maqedonisë që të dalin dhe të votojnë në referendumin e 30-të shtatorit.

“Shteti juaj sapo e shënoi përvjetorin e pavarësisë, kur 95 për qind e qytetarëve janë “për” që të jetojnë në liri, siç thuhet në himnin tuaj. Prandaj në këtë formë edhe ju do të vendosni në referendum, që të shkoni drejt një ardhmërie të re. Do ta citoj Merkelin, duke thënë se votoni në referendum, që të bëheni pjesë në BE.  Ju përkrahim juve dhe miqtë tanë maqedonas, në realizimin e votës dhe obligimit demokratik. Ashtu siç tha Stoltenberg, duke u bërë pjesë në Aleancës, ju do të fitoni siguri më të madhe. Ne jemi të vendosur që të ju dëshirojmë mirëseardhje në aleancën tonë”, tha Matis, në pres-konferencën e përbashkët me kryeministrin Zoran Zaev dhe ministren e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev  premtoi se do të punohet edhe më intensivisht në realizimin e reformave për t’u bërë anëtarja e 30-të e Aleancës.

“ Në frymën e ardhmërisë euro-atlantike, udhëheqim politika për sigurim të faktorëve politik për këtë çështje. Thërrasim për bashkim, kur bëhet fjalë për realizim të qëllimeve strategjike të qytetarëve, për shtetin tonë, dhe ajo është anëtarësimi në NATO dhe BE. Për Republikën e Maqedonisë, integrimi në NATO dhe BE nuk ka alternativë, këtë e vërtetoi edhe shumica e qytetarëve. Ne do të vazhdojmë edhe më intensivisht me reformat, dhe përgatitjet, të cilat do të na bëjnë anëtarët e 30-të të Aleancës”, tha Zaev.

E ndërkohë që ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska ka shprehur bindjen se qytetarët më 30 shtator do të votojnë “për”, që Maqedonia të luftojë ballë për ballë me ushtarët e huaj.

“Jam e bindur se qytetarët më 30 shtator do të tregojnë se janë për Maqedoni të sigurtë, të qetë dhe e zhvilluar ekonomikisht. “Për” Maqedoninë e cila ballë për ballë do të luftojë bashkë me ushtarët tjerë për stabilitet global”, tha Shekerinska.

Gjatë këtij takimi u vlerësua se Armata e Maqedonisë është e gatshme që Maqedonia të jetë anëtarja e 30-të e NATO-s, pasi që duke marrë pjesë në misionin e Afganistanit, Irakut dhe Krivollakut, ka dëshmuar se është kontribuuese për sigurinë globale.