Maqedonia e Veriut në NATO, Shqipëria ratifikon protokollin


Kuvendi i Shqipërisë ka ratifikuar protokollin për pranimin e Maqedonisë së Veriut në NATO me 130 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Pro projektligjit “Për ratifikimin e Protokollit të Traktatit të Atlantikut Verior për aderimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut” votuan të gjithë deputetët e pranishëm në seancë, duke përfshirë edhe opozitën.

Më herët, projektligji ishte miratuar me unanimitet në komisionet e Ligjeve dhe të Jashtëm.

Votimi u krye me rihapjen e seancës, pas sherrit që kulmoi me spërkatjen me bojë në fytyrë të Kryeministrit Edi Rama nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka

Me rihapjen e seancës, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i kërkoi sërish deputetit Paloka të dalë nga salla.

Me refuzimin e tij, Ruçi deklaroi mbylljen e debatit dhe hapjen e votimit elektronik.

Pas miratimit të protokollit, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferri, mbajti një fjalim të shkurtër.

Duke komentuar situatën e pazakontë ndërmjet Palokës dhe Ramës, Xhaferri tha me elegancë se “këto situata nuk janë të parat”.

Xhaferri falënderoi Shqipërinë për kontributin në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ai theksoi se për Marrëveshjen e Prespës pati kontestime si në Maqedoni edhe në Greqi, por koha tregoi se nga ajo marrëveshje përfituan të dyja palët.

Shqipëria është vendi i dytë pas Sllovenisë që ratifikon protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Aleancën e Atlantikut të Veriut.