LSDM: Nuk do të lejojmë qëVMRO-DPMNE ta pengojë të ardhmen e Maqedonisë


Frenat e VMRO-DPMNE-së për KSHZ-në janë frena për vullnetin e qytetarëve dhe për ardhmërinë e Maqedonisë, ne këtë nuk do ta lejojmë, thuhet në kumtesën e LSDM-së.

“LSDM nuk do të lejojë që VMRO-DPMNE-ja t’i bllokojë reformat, ndërsa me këtë ta bllokojë shtetin dhe ardhmërinë e saj. Shumica parlamentare e udhëhequr nga LSDM-ja para qytetarëve ka për obligim të gjejë zgjidhje për sjelljen destruktive të VMRO-DPMNE-së, partia e cila me çdo çmim përpiqet ta bllokojë të nesërmen më të mirë për qytetarët e Maqedonisë. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor që janë bërë në maj në pajtueshmëri me të gjithë partitë parashikonin obligim që Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve të zgjidhet në afat prej tridhjetë ditësh nga hyrja në fuqi e ndryshimeve. Por, duket se VMRO-DPMNE-ja si në pushtet ashtu edhe në opozitë vazhdon të mos i respektojë marrëveshjet dhe ligjet, me qëllim që të bëjë pazar për amnistinë”, thuhet në kumtesë.

Me sjelljen e saj, thuhet më tej, VMRO-DPMNE-ja jo vetëm që e shkeli atë që u dakordua, por edhe po e pengon zbatimin e ligjit. “Përkundër bllokimeve nga VMRO-DPMNE-ja opozitare, deputetët e LSDM-së dhe shumica parlamentare e ndërmorën obligimin që të mundësojnë formim të KSHZ-së dhe zbatim të ligjit të dakorduar”, shtohet në kumtesë.