LSDM dhe BDI sonte e publikojnë emrin e kandidatit të përbashkët


LSDM, partnerët e koalicionit dhe partitë tjera të cilët  ofrojnë përkrahje për kandidatin e përbashkët presidencial, sonte do të mbajnë takim ku do të caktohet personaliteti i cili do të futet në garë për shef të ri të shtetit në zgjedhjet vijuese presidenciale.

Koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së dhe koalicionit Jovan Mitreski në pres konferencën e sotme ka thënë se në ndërkohë vazhdojnë bisedimet me BDI-në dhe partnerët e tjerë të koalicionit.

“Kemi investuar dhe investojmë në këtë proces pasi është me rëndësi dhe me vlerë, pasi qytetarët për herë të parë do të fitojnë kandidat për të gjithë ata, për të gjithë qytetarët”, ka thënë Mitrevski.

Në prag të Kongresit të LSDM-së, Mitrevski ka thënë se do të rishikohen edhe kandidaturat dhe propozimet që deri tani kanë arritur deri te organizatat komunale.

Kryeministri dhe lider i LSDM-së, Zoran Zaev dhe lideri i BDI-së Ali Ahmeti të mërkurën arritën marrëveshje për kandidat të përbashkët i cili pritet të mbështetet nga Alternativa dhe PDSH si dhe parti tjera.

Aleanca dhe BESA, kanë bërë të ditur se do të mbështesin nominimin e ish ambasadorit dhe profesorit universitar Blerim Reka. Ai prej dje është përfshirë në listën e kandidatëve zyrtar për president ku është edhe Gordana Siljanovska- Davkova, pas kandidaturës të së cilës rreshtohet VMRO-DPMNE opozitare.

Ndryshe, rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale është caktuar më 21 prill, kurse i dyti më 5 maj.