Lika i revoltuar pyet BDI-në: Cili do të jetë fati i Marrëveshjes së Ohrit!?


Zëvendëskryeministri Hazbi Lika nuk është i njoftuar për iniciativën e BDI-së për shpërbërjen e sekretariatit për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ai përmes një shkrimi në faqen e tij në “Fejsbuk”, ka theksuar se kundërshton shkrirjen e dikasterit që drejton në Ministri për sistem politik, pasi që siç tha Marrëveshja e Ohrit ende nuk është zbatuar në tërësi.

“Unë si përfaqësues i BDI-së, në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në detyrën e Zëvendës Kryeministrit të angazhuar për Implemntimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe Sistemin Politik, nuk jam informuar as edhe i konsultuar për iniciativën dhe as për hartimin e këtij ligji, duke aluduar në kompetencat që do të bartë Institucioni i ri i cili krijohet, dhe lidhshmërinë që do të ketë me vetë Marrëveshjen Paqësore të Ohrit’’, shkruan, Lika.

Zëvendëskryeministri Lika, shkruan se në takimin e fundit me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti ka kërkuar të hapet debat për shndërrimin e Sekretariatit për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në Ministri për sistem politik.

Ndërkohë që në lidhje me këtë ka reaguar Bashkimi Demokratik për Integrim. Përmes një komunikate BDI rikujton se kjo iniciativë rrejdh nga  Analiza e MO-së, platforma zgjedhore e BDI-së, Deklarata e Përbashkët e Partive Politike Shqiptare dhe nga marrëveshja për koalicion 2016-2020.

“1. Analiza cilësore e Marrëveshjes së Ohrit nga viti 2015, e zbatuar nga Piter Fejt në emër të Institutit Evropian të Paqes, e përkrahur nga Sekretariati dhe misioni i OSBE, e kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe e miratuar nga ana e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut si dhe nga Kryesia e BDI-së;

  1. Platforma zgjedhore e Bashkimit Demokratik për Integrim “2020”, gjithashtu e miratuar në Kryesinë e BDI-së, e premtuar para votuesve në zgjedhjet e vitit 2016 dhe për të cilën kjo përbërje e Kuvendit dhe e Qeverisë është e mandatuar ta zbatojë sepse janë zgjedhur për ta realizuar atë;
  2. Nga Deklarata e Përbashkët e partive politike shqiptare, gjithashtu e miratuar dhe e debatuar në Kryesinë e BDIsë më 7 janar 2017;
  3. Nga marrëveshja koalicionuese për bashkëqeverisje 2016-2020”, thonë nga BDI.

Sipas tyre, të gjitha kompetencat e Sekretariatit transferohen në Ministrinë e re si dhe shtohen edhe të tjera në propozim ndryshimet ligjore.

“Deputetët si dhe ministrat e zgjedhur në këtë përbërje parlamentare dhe qeveritare janë zgjedhur në bazë të programit të premtuar në zgjedhjet e vitit 2016. Kjo iniciativë, bashkë me miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve, zgjidhjen e çështjes së emrit, përmbylljen e kontestit me Bulgarinë, nënshkrimin e protokollit për anëtarësim në NATO si dhe marrjen e datës për fillim të negociatave me Bashkimin Evropian, gati se përmbyll premtimet tona kryesore zgjedhore të premtuara në vitin 2016”, thuhet në kumtesën e BDI-së.