Ligji për amnisti, afati deri më 20 shtator të këtij viti


Propozim-ligji për amnisti do të miratohet me procedurë të rregullt, ndërsa afati për amnisti ka të bëjë për vepra penale të kryera deri më 20 shtator të këtij viti. Propozim-teksti dje ishte miratuar në seancë qeveritare.

Zëdhënësi qeveritar, Mile Boshnjakovski sot sqaroi se data ka dalë nga debati publik dhe indikacionet e ekspertëve.

“Nuk parashikohet amnisti për persona të dënuar fuqiplotë me dënim me burg të përjetshëm, si dhe kryerës të veprave penale “vrasje” nga neni 123. Nuk është parashikuar amnisti për vepra penale kundër zgjedhjeve dhe votimit, për vepra penale kundër lirisë gjinore dhe moralit gjinor, për vepra penale kundër shtetit, për vepra penale kundër rendit publik, si dhe për vepra penale kundër njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare”, deklaroi Boshnjakovski.

Statistikat tregojnë se me këtë ligj do të liroheshin përafërsisht 670 persona të dënuar fuqiplotë me dënim me burg në gjashtë muaj, derisa 3.097 personave do t’u ulet dënimi për 30 për qind.