Ligji i gjuhëve, protesta para shtëpive të deputetëve


Shtëpitë e deputetëve të shumicës, si ajo e Forsina Remenskit, Hari Llokvenec dhe disa të tjerë, edhe mbrëmë ishin shënjestër e protestave që pasuan pas miratimit të ligjit për gjuhët. Deputetja e LSDM-së Forsina Remenski, para shtëpisë së të cilës po protestohet për dy natë me radhë, përsëritë se protesta po organizohet nga anëtarë të VMRO-DPMNE-së, për çka si dëshmi, publikoi edhe disa mesazhe. Në këto biseda që kishte siguruar deputetja Remenski, qëndronin porosi të anëtarëve të Komitetit Komunal të VMRO-DPMNE-së në Karposh, për tubim dhe protesta para shtëpive të deputetëve. Remesnki tha se më së voni deri të premten, do ngrit padi penale ndaj organizatorëve të protestave që ajo i konsideron të paligjshme.

Nga VMRO-DPMNE sot nuk deshën të komentojnë akuzat e Remenskit, ndërsa ditë më parë kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristjan Mickoski mohoi që protestat të jenë të organizuara nga VMRO-DPMNE-ja. I pakapshëm për televizionin Alsat ishte dhe vetë Toni Jarevski që shihej në bisedat e publikuara nga Remenski, si iniciatorë për protestën para shtëpisë së kësaj të fundit. Për arsye sigurie, deputetëve të LSDM-së, nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme u janë dërguar nga dy pjesëtarë të forcave policore, që të evitojnë ndonjë sulmi eventual nga protestuesit. Ndërsa në shtëpitë e deputetëve ku është protestuar, ka pasur numër të shtuar të forcave policore, me qëllim të parandalimit të eskalimit eventual të situatës.

“Duke u bazuar në vlerësimet e sigurisë, që bëhen zakonisht, Ministria e Punëve të Brendshme i ka shpërndarë pjesëtarë të policisë para objekteve dhe shtëpive ku protestohet ditëve të fundit. Për secilën thyerje të rendit dhe qetësisë publike, manifestim të dhunës Ministria e Punëve të Brendshme ndërmerr masa konkrete për pastrimin e dilemave”, deklaroi Toni Angellovski Zëdhënës i MPB-së.

Nga MPB thonë se po hetojnë të gjitha kërcënimet dhe gjuhën e urrejtjes që është përdorur në protestat kundër votimit të ligjit për gjuhët. Që nga dita e miratimit të Ligjit për gjuhët në lexim të tretë, një numër i vogël i qytetarëve filluan që të shprehin pakënaqësinë e tyre në forma të ndryshme, si dhënia flakë e veturave të deputetëve, mbishkrime fyese për shqiptarët dhe kërcënime. Këto sulme i ka dënuar edhe kryeministri Zaev dhe partitë tjera parlamentare. / Alsat-M