Kuvendi i hoqi imunitetin të gjashtë deputetëve


Kuvendi i Republikës së Maqedonisë e aprovoi kërkesën për heqjen e imunitetit për deputetët Kërsto Mukovski, Johan Tarçullovski, Zhaklina Peshevska, Ljuben Arnaudovski, Ljupço Dimovski dhe Sasho Vasilevski, për shkak të paraburgimit për ngjarjet e 27 prillit në Parlament.

Për heqjen e imunitetit votuan 66 deputetët e pranishëm në seancën e sotme të 25-të.

Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së nuk mori pjesë në seancë. Sipas tyre, seanca është “një farsë politike, qëllimi i të cilës është revanshizmi, mbjellja e urrejtjes dhe shkatërrimi i të gjithë atyre që mendojnë ndryshe”.

Me votimin e sotëm përfundoi procedura e paraparë me Rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutës për heqjen e imunitetit të gjashtë deputetëve. Ata, sipas legjislaturës dhe Kushtetutës, do të mbeten në funksionin e deputetit derisa aktvendimi i mundshëm i Gjykatës penale nuk bëhet i plotfuqishëm dhe nëse deputeti është i dënuar për vepër penale për të cilën është caktuar dënim me burg në kohëzgjatje prej së paku pesë viteve.

Mbledhjen e Parlamentit për heqjen e imunitetit, spikeri Talat Xhaferi e caktoi pasi që dje Komisioni për Çështje të Rregulloreve dhe të Mandatit dhe Imunitetit me votim individual vendosi t’ua heqë imunitetin gjashtë deputetëve të VMRO-DPMNE-së. Në mbledhje morën pjesë deputetët e LSDM-së, si dhe disa nga BDI dhe BESA. Të zgjedhurit e popullit nga grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së, si dhe deputetët për imunitetin e të cilëve u debatua, edhe pse të ftuar, nuk morën pjesë në mbledhje.

Kërsto Mukovski, Johan Tarçullovski, Zhaklina Peshevska, Ljuben Arnaudovski, Ljupço Dimovski dhe Sasho Vasilevski, janë pjesë e 36 personave të cilët Prokuroria Themelore Publike i ndjek për “rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”, lidhur me ngjarjet e 27 prillit të këtij viti në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.