Kryeziu: Reagimi i aktorit serb është normal, sepse e refuzova ta luajë Adem Jasharin


Regjisori Luan Kryeziu ka reaguar ndaj deklaratave të aktorit serb Rade Sherbexhija i cili ka mohuar t’ia ketë propozuar që ai ta luajë rolin e Adem Jasharit në filmin tij.

Ai ka deklaruar se shkrimet në media janë gënjeshtra.

“Me rastin e shkrimit në Telegraf, dhe besoj edhe në gazetat tjera, të cilat nuk i kam lexuar, sepse gjendem në Los Angjelos, ku jam duke xhiruar një TV serial dhe nuk kam kohë të merrem me thashethemet e medieve, se unë, nëpërmes të mikut tim Enver Petrovcit, i jam ofruar një regjisori të ri të filmit të luaj në filmin e tij mbi Jasharin, deklaroj se kjo është një gënjeshtër”, ka porositur Sherbexhija.

Por regjisori Luan Kryeziu habitet me deklaratat e aktorit serb, duke thënë se ai paska mbetur në mentalitetin e një serbi.

“Serbet gjithnjë e gjuajnë gurin dhe e fshehin dorën. Rade Serbetdzia edhe pse ka ndryshuar vendbanimin paska mbet serb në mentalitet. Tani mua me arsyeton edhe më shumë kundërshtimin tim që ai nuk duhet të interpretojë në filmat shqiptar edhe pse e kishte arsyetimin e bukur. Kjo gjithashtu vërteton dyshimin tim që ai nuk vjen këtu me një qëllim të mirë”, ka reaguar regjisori Kryeziu.

Kryeziu ka thënë se aktori serb tash n dihet keq pasi e ka refuzuar që ai ta luajë rolin e Adem Jasharit.
“Është krejt normale që ai ndjehet keq nga kundërshtimi im dhe duhet të kundërshtojë gjithsesi deklaratën time, por nuk e kuptoj si mundet një artist i një “niveli të tillë” ta quajë Adem Jasharin dhe familjen e tij terrorist”, ka thënë tutje ai.

“Do ta porosisja Rade Serbetdzien të behet njeri së pari, sepse paska mbet serb. Rade unë nuk jam i ri në profesion sepse vetëm me një film kam 39 festivale të fituara. Kam pjesëmarrje në tri festivale të kategorisë së parë që ti nuk i ke edhe pse me moshë je më i madh. E vërteta nuk rrëfehet duke ofenduar dhe duke mashtruar opinionin”, thuhet më tej aty.

Aktori serb Rade Sherbexhija ka thënë se është e pakuptimtë që ai ta luajë një rol të tillë.

“Është plotësisht e pakuptimtë që mua të më ofrohet ta luaj atë rol, siç është plotësisht e pakuptimtë që dikush mund të besojë që unë kisha pranuar një ofertë të tillë”, ka thënë Sherbexhija.

Megjithatë, regjisori Kryeziu thotë se e kupton nacionalizmin e tij por jo edhe fshehjen e të vërtetës, siç po e bën Sherbexhija.

“E kuptoj arsyen nacionaliste serbe por nuk e kuptoj pse tani një artist duke fshehur të vërtetën kërkon të thuhet një e vërtetë tjetër. E siguroj që me deklaratën e tij, kur e quan veten artist dhe i quan terroristë një familje të tërë të masakruar në shtëpitë e tyre nga një pushtet kriminel të cilin e luftoi bota përmes NATO-s, ka treguar që ndoshta njeriu mund të bëhet i famshëm dhe të luajë filma, por është dhe kurrë nuk do të bëhesh artist”, ka reaguar tutje Kryeziu.

“Duhet ta kuptosh dhe ta pranosh që bota është e madhe dhe kurrë nuk kemi pasur nevojë për ndihmën tuaj as nuk do të kemi. Sot pas 17 vjet shtet ne artistët dhe sportistët e Kosovës kemi suksese më shumë se ju serbët në arenën ndërkombëtare. Prandaj pretendimi yt që unë kam nevojë për promovim nga ti nuk qëndron aspak, përkundrazi nuk më ndihmon por më bënë dëm”, përfunduar ai./Insajderi.com