Kryetari i Komunës së Gostivarit Taravari, shpalosi të arriturat në 100 ditëshin e parë të mandatit


Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, para gazetarëve, shpalosi të arriturat e udhëheqësisë së re komunale në 100 ditët e para të mandatit 2017-2021.
“E depolitizuam arsimin duke bërë emërime të drejtorëve kryesisht të propozuar nga vetë kolektivet e shkollave. Kuadrin arsimor joadekuat e zëvendësuam me kuadër të profilit të caktuar. E depolitizuam, po ashtu, edhe Këshillin Rinor të komunës së Gostivarit, pa mos ndikuar fare në zgjedhjen e kryesisë. Për vetëm 100 ditë, duke racionalizuar skajshmërisht shpenzimet joproduktive, kemi arritur të paguajmë mbi 300 mijë euro borxhe të trashëguara. Te transporti i nxënësve, duke mos favorizuar kompani përkatëse, arritëm që të kursejmë 250 mijë euro për një vit, mjete këto të cilat do t’i shfrytëzojmë për investime për përmirësimin e kushteve nëpër shkollat publike”, theksoi kryetari Taravari në fillim të konferencës për shtyp.

Falë donatorëve dhe biznesmenë nga Gostivari, vazhdoi Taravari, bëmë një zgjidhje të përkohshme të problemit me çatinë e shkollës “Goce Dellçev”, ndërsa në një të ardhme të afërt, problemin do ta zgjidhim për afat të gjatë.
Ai theksoi se është arritur marrëveshje me ambasadën e Zvicrës për fillimin e punimeve në deponinë Rusino, ndërsa në muajin prill do të zgjidhet edhe një problem krucial për qytetarët e komunës së Gostivarit, respektivisht do të fillojë me punë Stacioni për filtrimin e ujit.

“Dukshëm e përmirësuam ndriçimin publik, si në qytet ashtu edhe nëpër fshatra, ndërsa po ashtu u përgatit studim fizibiliti për ndriçimin publik SMART, zbatimi i të cilit do të fillojë brenda disa muajsh nëpër qytet. Formuam ekipin e protokollit dhe marrëdhënieve me publikun, me qëllim që të rrisim transparencën si dhe lehtësuam qasjen e lirë deri te informatat me karakter publik. Kemi emëruar edhe Zëdhënës të Komunës”, nënvizoi Taravari dhe vazhdoi: „Për herë të parë në komunën e Gostivarit u organizua prezantim i propozim-buxhetit para qytetarëve dhe u debatua mbi të njëjtin. Rritëm të hyrat nga tatimet për rreth 20% në muajin janar 2018, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar 2017, gjë që tregon se është rritur besueshmëria e qytetarëve në institucionin komunë”.
Kryetari i komunës së Gostivarit, njoftoi në press-konferencë edhe se është prishur një kontratë e dëmshme me parterin privat për parkim zonal, me të cilën qytetarët e Gostivarit dëmtoheshin për çdo muaj nga mbi 5 mijë euro.
Më pas Taravari përmendi edhe takimet dhe kontakte me shumë biznesmenë dhe investitorë potencialë nga vendi dhe jashtë, me ç’rast është shprehur gatishmërinë që tu ofrohen atyre favore infrastrukturore me qëllim që ata të investojnë në komunën e Gostivarit.

“Kemi realizuar takime të shumta me ambasadorë, si në komunën e Gostivarit , ashtu edhe në selitë e ambasadave. Realizuam takim edhe me kryetarët e dy kryeqyteteve shqiptare Tiranës dhe Prishtinës, gjegjësisht me z. Erion Veliaj dhe z. Shpend Ahmeti”, potencoi ai.
Shpalosjen e të arriturave për 100 ditët e para të mandatit, kryetari Arben Taravari e përfundoi me informatën se Komuna e Gostivarit fitoi grand nga UNDP dhe Bashkimi Evropian në vlerë prej 120 mijë euro, ndërsa më pas u përgjigj edhe në pyetjet e shumta të gazetarëve të pranishëm.

Zëdhënësi i komunës, Jasin Demiri, përmes një prezantimi në power point dha detajet për aktivitetet dhe rezultatet e arritura në 100 ditët e para të mandatit në sfera të ndryshme: arsim, mbrojte sociale, transparencë, infrastrukturë, sektorin joqeveritar, takime protokollare dhe të tjera.