Kryeministri Zaev optimist për arritjen e konsenzusit kombëtar për çështjen emrit


Pas takimit koordinues mes krerëve shtetëror që ka zgjatur më shumë se pesë orë, në deklaratat e dhëna për mediat, asnjëri nga pjesëmarrësit në takim nuk dha detaje konkrete në lidhje me propozimet e dhëna nga ndërmjetësi Matthew Nimetz, si dhe për atë a janë të pranueshme për Maqedoninë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Poashtu, nuk deklaruan asgjë nëse ekziston pajtim ndërmjet partive politike për çështjen e emrit, por u paralajmëruan takime tjera për koordinim të qëndrimeve për zgjidhjen e kontestit të emrit.

Kryeministri Zoran Zaev pas takimit deklaroi se është optimist dhe se mund të arrihet konsenzus kombëtar për këtë çështje.

Zaev theksoi se për realizimin e këtyre qëllimeve është i detyrueshëm bashkëpunimi mes Qeverisë, opozitës, presidentit, si dhe informim në kohën e duhur dhe objektiv të qytetarëve të Maqedonisë.

“Për këtë duhet vullnet politik dhe guxim nga ana jonë, por zgjidhja është e mundur vetëm nëse vullnet i tillë politik ekziston edhe nga pala greke. Integrimi, reformat dhe masat ekonomike janë pjesë kyçe për jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë”, tha Zaev.