Kongresi i 23-të i LSDM-së , pritet të konfirmohet kandidatura e përbashkët e Pendarovskit


Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë sot do ta mbajë kongresin e 23-të partiak në të cilin partia duhet ta konfirmojë kandidaturën e Stevo Pendarovskin për president të shtetit në zgjedhjet e ardhshme.

Në hapjen e Kongresit është paraparë fjalim i kryeministrit dhe liderit të LSDM-së Zoran Zaev, ndërsa pjesa e punës do të jetë e mbyllur për opinionin. Në fund të kongresit i cili sërish do të hapet, do të mbajë fjalim edhe kandidati i zgjedhur për president të shtetit.

Stevo Pendarovski është kandidati i përbashkët presidencial, i përkrahur nga rreth 31 parti të udhëhequra nga koalicioni qeveritar. Kandidati mbipartiak Pendarovski përkrahjen e ka fituar në takimin me partitë e koalicionit qeveritar dhe të gjithë përkrahësit e konceptit për kandidat të përbashkët për president të shtetit.

Mbështetje u shpreh edhe nga kryeministri Zoran Zaev i cili tha se ky është vendim historik për Republikën e Maqedonisë së Veriut.

“Të nderuar qytetarë u bashkuam sërish të gjithë maqedonas, shqiptarë, serbë, turq, vllehë, romë, boshnjakë dhe të gjithë të tjerët. Për herë të parë në historinë e vendit tonë, etnitete të ndryshme qëndrojnë pas një kandidati. Të gjithë e mbështesim Stevo Pendarovskin. Kandidat mbipartiak, evropian, qytetar dhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut”,  deklaroi kryeministri.

Për kandidatin e përbashkët presidencial është nderë i jashtëzakonshëm të mbështetesh prej përfaqësuesve të të gjitha bashkësive etnike, prej 31 partive politike, por edhe shumë qytetarëve të cilët aspak nuk janë anëtarë të partive politike.

Këtë e ka shkruar Pendarovski në profilin e tij në Fejsbuk, pasi dje mori mbështetjen të jetë kandidat i përbashkët presidencial i koalicionit të udhëhequr nga LSDM-ja dhe koalicioni në pushtet.

Vendimi për kandidat të përbashkët duhet të verifikohet në organet e secilës prej partive.

Raundi i parë i zgjedhjeve të gjashta presidenciale është caktuar për më 21 prill , ndërsa i dyti do të mbahet më 5 maj.