Kompania amerikane do ta ndërtojë termocentralin “Kosova e Re”


Qeveria e Kosovës sot ka arritur marrëveshje me kompaninë amerikane për energji elektrike “Kontur Global” për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

Marrëveshja është arritur në takimin e trupit qeveritar të angazhuar për ndërtimin e objektit, ku mori pjesë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe përfaqësues të kompanisë.

Në këtë takim, siç bën me dije një komunikatë për media e Qeverisë, u arrit marrëveshja për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.

Marrëveshja komerciale, sipas kësaj komunikate, pritet që të nënshkruhet ditët e ardhshme dhe me të në Kosovë do të investohen mbi 1 miliard euro, gjë që paraqet investimin më të madh në historinë e re të Kosovës.

“Pas finalizimit, ky projekt do të sigurojë pavarësinë energjetike për shtetin dhe popullin e Kosovës. Termocentrali do të ndërtohet me një bllok të vetëm superkritik, me efiçiencë minimum 40 për qind dhe kapacitet elektrik bruto prej 500 MW. Me komponentën e koogjenerimit për ngrohjen qendrore, do të ketë kapacitete shumë më të mëdha për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes për qytetin e Prishtinës, Obiliqit, Drenasit dhe Fushë Kosovës. Arritja e marrëveshjes është rezultat i punës shumëvjeçare të qeverive të Kosovës, i shumë njerëzve, shumë ekspertëve, që në kushte të vështira arritën që t’i sigurojnë vendit të ardhme të sigurt energjetike dhe njëkohësisht kontratë që garanton arritjen e maksimumit për institucionet dhe popullin e Kosovës”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Termocentrali i ri, gjithnjë sipas kësaj komunikate, do të fillojë të ndërtohet në vitin 2018 dhe do të jetë funksional që nga viti 2023. Do të jetë i ndërtuar me fjalën e fundit të teknologjisë dhe në këtë mënyrë do të reflektojë në uljen e emetimit të gazrave, respektivisht në ruajtjen e mjedisit.

“Ndërtimi i Termocentralit ‘Kosova e Re’ është ngjarje historike për popullin e Kosovës sepse energjia është kushti i pashmangshëm për të ardhmen prosperuese ekonomike, politike dhe sociale”, ka përfunduar Qeveria e Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mirëpritur sot arritjen e marrëveshjes në mes të Qeverisë së Kosovës dhe investitorit amerikan “Kontur Global” për realizimin e projektit energjetik “Kosova e Re”.

Në takimin me përfaqësuesit e “Kontur Global”, në të cilin ishte edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u konfirmua se është arritur pajtim për kushtet e fillimit të implementimit të projektit.

Tani pritet të finalizohet marrëveshja dhe të bëhet nënshkrimi i saj më 20 dhjetor në Prishtinë. Presidenti Thaçi u shpreh i kënaqur me arritjen e marrëveshjes dhe me mundësitë që sjellë ajo për ekonominë kosovare.

“Është investim i rëndësishëm për sektorin e energjisë, por edhe për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Kjo do të sjellë stabilitet energjik, por edhe mundësi për fushat e tjera të ekonomisë”, u shpreh presidenti Thaçi.

“Kur po shënojmë 10 vjetorin e pavarësisë së shtetit, po shënojmë edhe arritjen e pavarësisë së plotë energjetike të vendit”, shtoi presidenti Thaçi.

Më herët gjatë ditës, presidenti Thaçi kishte takuar edhe liderët e institucioneve shtetërore të vendit, liderët politikë dhe Grupin Ndërministror për projektin “Kosova e Re”, në të cilin ishte konfirmuar konsensusi i plotë politik dhe shoqëror për projektin.

Themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i kompanisë amerikane Kontur Global, Xhozef S. Brandt, e ka falënderuar presidentin Thaçi për pritjen dhe bashkëpunimin e deritanishëm dhe e ka siguruar që projekti TC “Kosova e Re” do të realizohet duke i përmbushur të gjitha obligimet kontraktuale dhe në pajtim me të gjitha rregullat dhe standardet ndërkombëtare.

“Kosova e Re” është investimi më i madh privat në historinë e Kosovës, për të cilin është punuar që një dekadë, si dhe kap shumën prej 1,3 miliardë euro.

Gjatë periudhës së ndërtimit të termocentralit të ri pritet të hapen rreth 10.000 vende të reja pune. Projekti do të realizohet në përputhje me direktivat mjedisore dhe sociale të BE-së dhe do ta sigurojë furnizimin e qëndrueshëm me energji elektrike për vendin.