Këtë javë, katër seanca për lëndët e Speciales


Katër seanca për lëndët e Prokurorisë Publike Speciale janë caktuar këtë javë në Gjykatën Penale.

Të martën, më 26 dhjetor, janë planifikuar gjykime për lëndët “Trajektorja” dhe “Trust”.

Në lëndën “Trajektorja” të akuzuar janë ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ish-zëvendëskryeministri Vladimir Peshevski ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski dhe ish-drejtori i Agjencisë për Rrugë Shtetërore, Lupço Georgievski.

Ata dyshohen se në gjysmën e dytë të vitit 2012 dhe gjatë vitit 2013, kanë ndërmarrë disa veprime që në procedurën për përzgjedhjen e kompanisë për ndërtimin e autostradave Miladinovci – Shtip dhe Kërçovë – Ohër. Kështu, i kanë shfrytëzuar dhe tejkaluar të gjitha autorizimet. Me këtë sipas PPS-së, e kanë dëmtuar buxhetin e shtetit prej së paku 155 milionë euro dhe për të njëjtën shumë kompanisë ndërtimore i kanë mundësuar të fitojë dobi pronësore.

Në Gjykatën Penale vazhdon gjykimi për lëndën e PSP “Trust”, në të cilën i dyshuari i parë është biznesmeni Sead Koçan si edhe dy persona fizikë dhe tre juridikë, në mesin e të cilëve edhe drejtuesit e kompanive “Transmet”, “Sileks” dhe “Vato” SHPKNJP, për pjesëmarrje në një tender të Elektranave të Maqedonisë.

Sipas akuzës, të dyshuarit me dokumente të falsifikuara kanë kurdisur tenderë në ELEM në vlerë prej 17 milionë euro. Lënda, siç publikoi PPS, është formuar në bazë të tri bisedave të përgjuara, prej të cilave dy të papublikuara në opinion prej 3.8.2011 dhe 6.10.2011.

Të mërkurën vazhdon gjykimi për lëndën “Dhunë në Qendër”, në të cilin të akuzuar janë 14 persona për nxitjen e dhunës që ndodhi gjatë protestave para komunës Qendër në qershor të vitit 2013.

Të enjten do të mbahet edhe seancë për lëndën “Treqind” , që njëherësh do të jetë edhe gjykimi i fundit për lëndën e PPS në Gjykatën Penale për këtë vit.

Në këtë lëndë i akuzuar është ish-ndihmësministri i Punëve të Brendshme, Gjoko Popovski për keqpërdorimin e detyrës zyrtare lidhur me furnizimin publik të 300 automjeteve. Ai dyshohet se e ka dëmtuar buxhetin për 453.570 euro.

Vitin e ardhshëm, seanca e parë gjyqësore për ndonjë lëndë të PPS do të mbahet më 17 janar edhe atë për lëndën e bashkuar “Target – Fortesa” për përgjim të kundërligjshëm dhe për shkatërrimin e pajisjeve për përgjim.