Këshilli i Reformave i “Salijit” nuk do të funksionojë, reformat në gjyqësor në duart e kryeministrit Zaev
Me përfundimin pjesës 6 të Planit 3-6-9 të Qeverisë së Maqedonisë ka përfunduar edhe puna e Këshillit të Reformave në Gjyqësor i cili udhëhiqej nga ministri i Drejtësisë, Bilen Saliji, kështu bëri të ditur sot zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani. Ndërkaq kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev i cili do të udhëheqë me Këshillin e ri të reformave në gjyqësor, simotër të “Salijit” para Gjykatës Penale njoftoi se pjesë e këtij Këshilli do të jenë kryetarët e Gjykatave të Shkupit, Prokurorisë Publike si dhe e Prokurorisë Speciale Publike, transmeton Portalb.mk.
“Kur bëhet fjalë për implementim dhe realizim, sipas meje dhe kjo vjen sepse unë jam konsultuar me ekspertë juridik, se duhet të jenë njerëz që njohin praktikën. Me shumë gjasë në atë këshill do të hyjë kryetari i Gjykatës Supreme dhe Gjykatën Themelore Shkupi 1, me shumë gjasë do të hyjë edhe kryetari i Prokurorisë Publike, do të hyjë edhe kryetarja e Prokurorisë Speciale Publike, edhe nga njësitë apelative, me shumë gjasë do të ketë edhe përfaqësues të Këshillit Gjyqësor, kryetar i Odës së Avokatëve. Do të jenë njerëz që njohin përvojën që do të ndihmon edhe nga aktivistë qytetarë, profesorë dhe ekspert juridik”, tha Zaev.
Megjithëse ditë më parë nga Qeveria e Maqedonisë deklaruan se Këshilli i Reformave “i Salijit” do të vazhdojë së funskionuari, kjo nuk do të ndodh që nënkupton se ka qenë Këshill ad-hoc sa për të përpiluar mënyrën e realizimit të reformave, implementimin e të cilave do ta kryejë këshilli i ri në krye të së cilit do të jetë kryeminstri i Maqedonisë, Zoran Zaev.
“Këshilli i cili u udhëheqë nga ministri i Drejtësisë, Bilen Saliji nuk do të jetë më funskional pasi që puna e tij ka përfunduar. Reformat në gjyqësor tashmë kanë hyrë në fazën e implementimit dhe e njëjta do të mbikëqyret nga Këshilli i ri i reforma me të cilin do të udhëheqë kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev”, tha sot zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani në takimin joformal me gazetarët.
Përndryshe, ditë më parë Qeveria e Maqedonisë ka sjellë vendim që të formohet Këshill i ri që do të ndjek zbatimin e e strategjisë së realizimit të reformave në gjyqësor me të cilin do të udhëheq kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ndërkohë që Këshilli për Reformat në Gjyqësor në krye të së cilit ishte ministri i Drejtësisë, Bilen Saliji ka mbaruar punën.
Sipas zëdhënësit të Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski formimi i një Këshilli të ri, me funksion të ngjashëm sikurse ai paraprak, nuk do të thotë se Zaev nuk ka besim ndaj Salijit, por se faza e realizimit të reformave në gjyqësor duhet të shkojë në nivel më të lartë, qeveritar.