Kasami paralajmëron rekonstruim, Qeveria pa koment


Qeveria në krye me Zoran Zaevin është pa koment ndaj deklaratave të Lëvizjes Besa, i cili paralajmëroi se në takimin e fundit me kryeministrin është diskutuar edhe për këtë çështje dhe se i është thënë nga ana e Zaevit se në pranverë do të ketë rekonfigurim të Qeverisë me çrast i është dhënë hapësirë kohore Lëvizjes Besa për të menduar për mundësinë e kyqjes së saj në kabinetin qeveritar. Kthim të saj në Qeveri në disa raste paralajmëruan edhe nga Aleanca për Shqiptarët, por çështja e kyqjes së Besës dhe ASH-së në kabinetin qeveritar mund të jetë e kontestuar nga ana e BDI-së përshkak se lideri dhe disa funksionarë të lartë të saj në disa raste kanë deklaruar se shumica parlamentare dhe Qeveria janë stabile edhe pa pjesmarrjen e Lëvizjes Besa dhe Aleancës.

Opozita shqiptare prapseprap është duke menduar akoma për idenë që të bëhet pjesë e Qeverisë. Parti e fundit opozitare shqiptare që bëri publike një qëllim të till është Besa e ndarë, më saktësisht krahu i Bilall Kasamit. Ky i dyti në intervistë për portalin Prizma.mk tha se gjatë takimit të fundit me kryeministrin Zoran Zaev kanë diskutuar edhe për mundësinë që Besa të inkuadrohet në strukturat e Qeverisë dhe se kjo mundësi nuk është përjashtuar.

“Sipas fjalëve të Zaevit, rekonstruimi i parë i Qeverisë pritet të ndodh në pranverë. Ai na ofroi që deri atëherë të mendojmë se a do bëhemi pjesë e qeverisë”, tha Kasami duke konfirmuar se krahu që përkrah atë i Lëvizjes Besa ka kuadrot e nevojshme për tu bërë pjesë e kabinetit qeveritar.

Mes tjerash, Kasami tha se tre prej pesë deputetëve të Lëvizjes Besa kanë vendosur të mbeten në anën e tij. Mirëpo, pak para formimit të kabinetit aktual qeveritar pikërisht Lëvizja Besa refuzoi ofertën e kryeministrit Zoran Zaev të bëhet pjesë e Qeverisë me pretekstin se kurrë nuk do të bëhen pjesë e të njejtit kabinet qeveritar me BDI-në e pareformuar. Mbetet koha të tregojë që nëse ai rekonstruim qeveritar realizohet në pranverë, se si do të funksionojë Lëvizja Besa me BDI-në, më tepër duke ditur faktin që së fundmi Lëvizja Besa me akuza se BDI dhe Ali Ahmeti kanë gisht në ndarjen e partisë në dy blloqe.

Burime të bllokut të dytë të Lëvizjes Besa më të cilin udhëheq Nexhbedin Karemani komentojnë se edhe ata mendojnë të takohen me kryeministrin Zaev për të biseduar në lidhje me rekonstruimin e mundshëm qeveritar, si dhe për opcionin e bashkangjitjes në Qeveri.

Largim defintiv nga Qeveria përjashton edhe partia tjetër opozitare Aleanca për Shqiptarët, dhe kjo fiton në intensitet nëse dihet fakti që shtëpia ligjvënëse akoma nuk ka verifikuar dorëheqjet e funksionarëve qeveritar të kësaj partie, si dhe deklaratat e liderit Sela se faktori ndërkombëtar dëshiron që Aleanca për Shqiptarët të mbetet në kabinetin qeveritar.
“Aleanca për Shqiptarët edhe më tutje është e hapur për rikthim në qeveri, me kusht që të plotësohen kërkesat e saj, duke përfshirë përgjegjësia për korrupsion të të gjithë funksionarëve partiak, pa dalim të përkatësisë së tyre etnike”, tha Sela në një prej deklaratave të fundit.

Në pyetje të gazetarëve në lidhje me rekonstruimin e paralajmëruar nga Kasami, zëdhënësi i Qeverisë Mile Boshnjakovski tha se për këtë gjë duhet të pyeten liderët e partive e jo Qeveria.

Problem për kyçjen eventuale të opozitës shqiptare në Qeveri mund të jetë kundërshtimi i BDI-së. Prej deklaratave të liderit dhe funksionarëve të lartë të kësaj partie, mund shumë qartë të konstatohet se kryeministri Zoran Zaev për këtë çështje duhet të realizoj takim me Ahmetin, i cili opozitën shqiptare e emëroi si politikisht të papjekur e cila më tepër ndan se sa që bashkon votat shqiptare.

Blerim Ismaili