Kasami: Lëvizja Besa tashmë është e përgatitur për fazën që vijon


Edhe përkundër faktit se si parti opozitare u përballëm me vështirësi për të paraqitur thirrjen tonë për të votuar PRO referendumit, si dhe kufizimeve që pushteti i bëri deputetëve tanë për paraqitje në programin e paguar politik, ne përsëri arritëm në maksimum të mobilizojmë votën opozitare të shqiptarëve në Maqedoni, u tha në konferencën për shtyp të Lëvizjes BESA, krahu i Bilall Kasamit.
“Së pari më lejoni të falënderoj gjithë ata që ju përgjigjën thirrjes tonë për të dalë dhe votuar në këtë Referendum duke e kryer obligimin e tyre me  përcaktimin pro NATO dhe BE. Nga dalja që kemi parë në vendbanimet me shumicë shqiptare, u dëshmua edhe njëherë përcaktimi PRO NATO dhe BE i shqiptarëve dhe ky përcaktim i shqiptarëve është obligim i joni si parti politike që të mos lejojmë që dikush të shkelë mbi vullnetin e pastër të shqiptarëve këtu në Maqedoni”, deklaroi Kasami.
Pavarësisht se ky proces, potencoi, nuk kaloi cenzusin e pritur prej 50% plus 1, qytetarët e vendit kanë dërguar një mesazh politikës, që për të ardhmen e Maqedonisë duhet të votojnë ata që i ka zgjedhur popullit duke marrë përgjegjësinë politike në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.
“Lëvizja Besa tashmë është e përgatitur për fazën që vijon, pra atë të ndryshimeve kushtetuese ku do japim sugjerimet dhe këndvështrimet tona për të bërë korrigjimet dhe saktësimet e nevojshme për të pasur një kushtetutë e cila do garantojë barazinë e plotë të shqiptarëve në Maqedoni dhe do ndërtojë të ardhmen e sigurt evropiane të këtij vendi në NATO dhe BE”,deklaroi Kasami.