Karemani: Kur qëndrimet janë të ndryshme, ndarja është e domosdoshme


Anëtarët e Këshillit qendror të Lëvizjes Besa që e kryeson deputeti në Kuvendin e Maqedonisë, Nexhbedin Karemani sonte mbajtën takim në hapësirat e reja të cilat u hapën në Tetovë.

Pas takimit Karemani pa u përgjigjur në pyetjet e lexoi deklaratën e tij për mediat. Në të ai theksoi se problemet në Besa kanë ndodhur nga mosrespektimi i organeve të partisë dhe siç tha, “për shkak të disa miqve të deri djeshëm të cilët janë të etur për zyra ndërsa më pak për interesat dhe idetë e shqiptarëve”.

“Këto hapësira të reja të cilat janë të mjaftueshme dhe të këndshme janë shumë të rëndësishme pasi ato do të jenë një dritare komunikimi i Besës me të gjithë ata të cilët deri dje nuk ishin të mirëseardhur në Lëvizjen Besa. Këto hapësira nuk janë për klane të caktuara, rajone apo fshatra, por zyrat e Besës janë dyer për të gjithë qytetarët prej kudo që janë. Edhe pse ndarjet nuk janë të dëshirueshme prej askujt, ndërsa veçanërisht prej nesh, kur qëndrimet janë të ndryshme ndarja është e domosdoshme”, tha Karemani.

Ai kërkoi prej anëtarëve të pranishëm, simpatizantëve dhe mbështetësve të mos lodhen me të kaluarën por të drejtohen nga punët që i presin, si zgjedhjet e brendshme dhe organizimin e kongresit i cili është caktuar për më 21 shkurt. Edhe një herë potencoi se Besa do ta tejkalojë fazën që ndodhet dhe do të jetë akoma më e fuqishme.