Kadriu: Zgjidhja e kontestit të emrit po hyn në fazën finale


Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se veprimet e të dyja palëve, gjegjësisht Maqedonia dhe Greqia, duhet të jenë të kujdesshme në këtë fazë, në mënyrë që të mos e dëmtojnë procesin dhe zgjidhjen e kontestit.

Bekim Kadriu ligjërues i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Tetovës thotë se kontesti për zgjidhjen e emrit po hyn në fazën finale, dhe palët duhet ta mbyllin këtë çështje me një marrëveshje pavarësisht se nga cila anë ajo iniciohet.

“Detajet lidhur me marrëveshjen eventuale që duhet ta zgjidhin kontestin duket se tashmë po dalin në sipërfaqe. Me këtë marrëveshje detyrimisht të dy shtet fqinje, sidomos Maqedonia do të duhet të rregullojë të gjitha detajet për të mos lënë hapësirë për interpretime të ndryshme në të ardhmen”, konsideron Kadriu.

Ndryshe, ndërmjetësuesi i OKB-së për çështjen e emrit Metju Nimic, sot do të zhvillon takime në Shkup me presidentin e shtetit, Gjorge Ivanov, kryeministrin Zoran Zaev, ndërsa do të ketë takime edhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, me kryetarin BDI-së, Ali Ahmeti dhe me kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski.