Janeva para infarktit, do të qëndrojë për trajtim në klinikën “Zhan Mitrev”
Ish-Prokurorja Publike Speciale, Katica Janeva sot është shtruar në klinikën “Zhan Mitrev” për ndjekje të mëtejme, si paciente me dyshimin se është në gjendje para infarktit, deklaroi avokatja e saj Irena Fërçkoska.
Gjendja shëndetësore e Janevës, sipas Fërçkoskës, është e keqe dhe ajo ankohet për tension të lartë dhe anksiozitet të përgjithshëm.
Janeva paraprakisht ka pranuar terapi përkatëse në ambulancën e burgut, ndërsa ky është kontrolli i saj i parë jashtë burgut.
Paraprakisht, mbrojtja e Janevës kërkoi që paraburgimi t’i zëvendësohet me arrest shtëpie, por Gjykata e refuzoi këtë kërkesë.
Janeva është e akuzuar në aferën “Reket” dhe është duke e vuajtur masën paraburgim në burgun hetues “Shkup”.