Janeva: Në asnjë mënyrë nuk jam e përzier në rastin “Reket”


Me përgjegjësi pohoj se në asnjë mënyrë, as me vetëdije dhe pa vetëdije, veprim apo mosveprim nuk e kam keqpërdorë detyrën të cilën për momentin ende e kryej dhe publikisht i inkurajoj organet e gjyqësisë t’i pastrojnë të gjitha rrethanat rreth rastit “Reket”.

Këtë sot e ka thënë në pres konferencë në PSP, Prokurorja speciale në dorëheqje, Katica Janeva.

“E vërtetë është se shumë persona nga jeta politike dhe publike njihemi me Bojan Jovanovskin. Nuk e kam fshehur se djali im punon në 1TV dhe në baza ditore komunikon me personin i cili është i dyshuar, por kjo nuk do të thotë se dikush ka përfituar të drejtën ta shfrytëzojë detyrën time zyrtare që të realizojë privilegje dhe aktivitete joligjore”, ka thënë Janeva duke shtuar se pret procedurë transparente që t’u jepet fund të gjitha informacioneve për siç tha, “dikush tenton ta dëmtojë imazhin dhe nderin tim”.