Janë “zhdukur” 100 administratorë shqiptarë në Maqedoni


Rreth 100 administratorë shqiptarë nuk janë paraqitur për të nënshkruar kontratat për sistemim në institucione që u bë para 10 ditëve, thonë për Gazetën Lajm burime qeveritare. Këtë informacion e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha, sipas të cilit rreth 10 për qind nga 958 administratorët e sistemuar në grupin e parë, nuk kanë nënshkruar kontratat.
Hoxha tha se ata do të shpërndahen nëpër institucione, në bazë të planit qeveritar. Ndërkohë do të sistemohen edhe rreth 600 administratorët e mbetur nga gjithsej 1.600 që kanë qenë të pranuar por që deri tani kanë ndenjur në shtëpi.
Hoxha nuk ka dhënë lajm pozitiv për pranim të administratorëve të rinj shqiptar nëpër institucione, duke theksuar se prioritet do t’i jepet sistemimit të atyre që ende nuk janë sistemuar.
“Institucionet kompetente e ndjekin përfaqësimin. Po përgatiten edhe analiza se si po rrjedh përfaqësimi. Në bazë të analizave do të shpallen edhe konkurse tjera.
Kështu është përgjigjur në pyetjen gazetareske se a përfundojnë punësimet me sistematizimin e administratorëve që janë paguar dhe kanë ndenjur në shtëpi”, deklaroi Hoxha, shkruan Gazeta Lajm.