Janë konstatuar dorëheqjet e Gruevskit dhe Bogoevskit


Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut sot në kuadër të seancës së 102-të e konstatoi dorëheqjen nga funksioni deputet të ish-kryeministrit Nikolla  Gruevski, i cili ka ikur nga shteti dhe ka marrë azil politik në Hungari.

Gruevski ka ikur në Hungari pasi që u dënua me dënim me burg për rastin me furnizimin e mercedesit luksoz. Dorëheqjen, Gruevski e parashtroi në datën 5 të këtij muaji.

“Konstatoj se konform nenit 152, paragrafi 1 alineja 1 nga Kodi zgjedhor i Nikolla Gruevskit i ndërpritet mandati deputet në Kuvend”, tha kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

Në seancën e sotme është konstatuar dorëheqja e deputetit Pavle Bogoevski, të cilën ai e paralajmëroi në seancën e Komisionit për çështje të rregullores, mandatit dhe imunitetit para hapjes së pikës së rendit të ditës për marrjen e mandatit të Gruevskit.

Për Bogoevskit, i cili është kryetar i këtij Komisioni kuvendor, u publikua biseda komprometuese telefonike, për çka nga opozita u akuzua se e shkel kodin etik dhe se nuk është i denjë për kryerje të funksionit të deputetit.

Bogoevski para deputetëve tha se dorëheqjen e parashtron për shkaqe morale dhe se me tërheqjen  nga funksioni deputeti dëshiron të dërgojë mesazh se vlerat e Revolucionit të larmë ende janë në fuqi. U bëri thirrje organeve të përndjekjes që ta hetojnë rastin për të cilin është gjykuar, por me këtë rast, siç tha, të  mos e harrojnë edhe rastin me incizimin dhe publikimin ilegal.

“Vlerat janë mbi funksionin tani dhe gjithmonë. Përgjegjësia mbahet personalisht, me inkurajim dhe kokëngritur para atyre që të kanë përzgjedhur, e jo në mënyrë qyqare dhe në arrati duke u fshehur prapa diktatorëve me bindje të ngjashme”, tha Bogoevski.

Pas konstatimit të dorëheqjeve, pritet të mbajë mbledhje Komisioni shtetëror i zgjedhjeve, i cili duhet t’i propozojë dy kandidatët e ardhshëm, që do t’i zënë vendet e Gruevskit dhe Bogoevskit.

Vazhdimi i seancës kuvendore është caktuar për në ora 15.