Jançev: Nëse organizohet Kongresi i partisë, do të kandidoja për kryetar


Ish-nënkryetari i VMRO-DPMNE-së dhe kryetar aktual i komunës së Kavadarit, Mitko Jançev mbrëmë deklaroi se ka potenciale për ndërrimin e liderit të partisë opozitare Hristian Mickoski. Nuk e përjashton mundësinë të kandidohet për lider partie nëse ka kongres të ardhshëm dhe nëse formon ekip me të cilin do të menaxhonte mirë.

“Nga pikëpamja ime, në parti nuk është se po shkëlqejnë punët. Mendimi im personal është se në VMRO-DPMNE nuk ekziston njeri i cili do të bënte puç. Përkundrazi, VMRO-DPMNE apo unë atë do ta kërkonim në mënyrë transparente dhe në mënyrë të hapur nga Mickoski. Ka potenciale për ndërrim, për të cilët mund ta ofrojnë programin e tyre, por nuk ka njeri që do ta bënte atë pas shpine. Unë mendoj se Mickoski duhet t’i përgjigjet letrës së Mijallkovit. Unë po të isha lider, do t’u përgjigjesha të gjitha pyetjeve”, tha Jançev në intervistën në “Vetëm e vërteta” në TV Kanal 5.

I pyetur nëse e sheh veten si lider të ardhshëm të VMRO-DPMNE-së, Jançev u përgjigj se nëse ka kongres të ardhshëm dhe formon ekip me të cilin do të menaxhonte mirë dhe nëse bën një statut më liberal dhe më demokratik dhe ofron program të mirë i cili do t’i kënaqte kërkesat e një pjese më të madhe të anëtarësisë, ai do të kandidohej për njeri të parë të partisë. Nuk pret të tërhiqet shkarkimi i tij dhe të kthehet në pozitën e nënkryetarit në VMRO-DPMNE.

Jançev përgënjeshtroi se ka marrë pjesë në çfarëdo bindjesh apo presionesh ndaj deputetëve që të votojnë për qasje ndaj ndryshimeve të Kushtetutës, në pajtim me Marrëveshjen e Prespës.

“Jo, nga aspekti im personal nuk ka pasur kurrfarë bindjesh, kurrfarë presionesh, kurrfarë kontakti, nëse ekziston një gjë e tillë unë nuk kam marrë pjesë”, tha Jançev.

Për dorëheqjet e fundit në parti, thotë se nuk beson se njerëz si Daniella Rangellova dhe Luka Kërzhallovski punojnë sipas ndonjë direktive./Gazeta e Pavarur