Ivanov mban të bllokuar Ligjin për ratifikim të Marrëveshjes për emrin


Presidenti Gjorge Ivanov akoma nuk e ka firmosur Ligjin për ratifikim të Marrëveshjes për emrin, e cila ditë më parë u miratua në Kuvend. Nëse Ivanov deri kah mesi i javës së ardhshme kur dhe pritet të skadojë afati mbetet në qëndrimin fillestar se nuk do ta firmos, Ligji do të kthehet për rivotim në Kuvend. Pas çka, në bazë të kushtetutës Presidenti është i obliguar ta hedh firmën, megjithatë Kushtetuta nuk parashikon asnjë alternativë për dalje nga situata nëse edhe pas rivotimit të Ligjit në Kuvend, Ivanov vendos ta mbajë Ligjin në arkivë. Gjithsesi kryeministri, Zoran Zaev tha se asgjë nuk varet as nga Ivanovi e as nga politikanët tjerë, por se për Marrëveshjen fjalën e fundit e kanë qytetarët. Në një intervistë për të përditshmen serbe “Politika”, Zaev shprehu optimizëm se referendumi do të jetë i susksesshëm.

“Qytetarët do të shprehen në referendum për marrëveshjen historike me të cilën shteti ecë përpara. Jam optimist dhe besoj se referendumi do të ketë sukses, ndërsa kjo do të thotë sukses për secilin qytetar të Maqedonisë. Fjalën e qytetarëve do të duhet ta respektojnë të gjithë, edhe Presidenti Ivanov edhe opozita, edhe ne si Qeveri”, deklaroi Zoran Zaev, Kryeministër.

Ndërkohë kryediplomati grek, Nikos Kocias gjatë ditës do t’i firmos letrat, të cilat nesër do të arrijnë në NATO dhe BE. Përmes kësaj korrespodence, Greqia do të shprehë mbështetjen e saj që vendi të fillojë negociatat për anëtarësim në këto dy organizata ndërkombëtare.

Një mbështetje të tillë, Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska tashmë e ka kërkuar nga të gjitha shtetet anëtare të NATO-s. Me letrën drejtuar homologëve të saj, Shekerinska thekson se me pranimin e vendit në NATO do të konsolidohet demokracia dhe do të forcohet stabiliteti dhe siguria e gjithë rajonit.

Letra e Ministres Shekerinska drejtuar shteteve anëtare të NATO-s

“Ju shkruaj për arritjen e marrëveshjes historike rreth çështjes së emrit me Greqinë. Kjo pengesë për integrimin tonë euro-atlantik është menjanuar. Kërkoj mbështetjen tuaj që Maqedonia të merr ftesë për anëtarësim të plotë në NATO në Samitin e ardhshëm.”

Për Moskën vendimi për anëtarësim në NATO do të ishte gabim me pasoja.

Kuptohet, nuk do të hedhim bomba nukleare. Secili vend ka të drejtë të sjellë vendime dhe të bëjë gabime. Por disa gabime, kanë pasoja – tha Vlladimir Çizhov, Përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në BE.

Samitit të NATO-s në korrik, i paraprin ai i Bashkimit Evropian në fund të këtij muaji. Megjithatë nëse do të marrim datë për fillim të negociatave për anëtarësim në BE varet nga Franca, e cila në mënyrë më të ashpër po kundërshton një gjë të tillë. Gjermania dhe së fundmi edhe SHBA-të përmes sekretarit, Majk Pompeo hapur i kërkuan Parisit që të heq dorë nga kjo rezistencë.