Ishinger: Rruga e Maqedonisë drejt BE-së dhe NATO-s, duhej të zhbllokohej prej kohësh


Rruga e Maqedonisë drejt BE-së dhe NATO-s, duhej të zhbllokohej para shumë kohësh, konsideron kryesuesi me Konferencën e Sigurisë në Munih dhe ish ambasador gjerman në SHBA, Uolfgang Ishinger.

“Rruga e Shkupit drejt BE-së dhe NATO-s duhet të zhbllokohet. Kjo duhej të ndodhte kohë më parë”, thotë Ishinger në profilin e tij në Tuiter.

Ai ka komentuar në Tuitin e shefit të diplomacisë së Maqedonisë Nikolla Dimitrov se Maqedonia është një nga disa shembujt e diplomacisë së suksesshme parandaluese dhe se pas pritjes së gjatë është koha për inkuadrim të vendit në BE dhe NATO.

“Maqedonia është një nga shembujt e paktë të diplomacisë parandaluese të suksesshme. Por ndërprerja e dinamikës negative nuk është e mjaftueshme. Ka ardhur koha që të shfrytëzohet rasti për përshpejtimin e dinamikës pozitive dhe arritjen e suksesit të pakthyeshëm”, thotë Dimitrov i cili në fund e falënderoi Ishingerin për organizimin e shkëlqyer të Konferencës së Sigurisë në Munih.

Shefi i diplomacisë Dimitrov së bashku me zëvendëskryeministren dhe ministren e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska morën pjesë në Konferencën e 54-të të Sigurisë në Munih që u mbajt javën e kaluar, që konsiderohet si forum global udhëheqës në të cilin diskutohen sfidat aktuale dhe të ardhshme të sigurisë.