Integrimi, Mogherini: Të fuqizojmë pozitën e Ballkanit Perëndimor


Ministrat për punë të jashtme të Bashkimit Evropian dhe ato të gjashtë vendeve kandidate në një takim joformal në Sofje kanë biseduar për Ballkanin Perëndimor, për herë të parë pas shpalljes së Strategjisë të Komisionit Evropian. Shefja e diplomacisë bullgare kumtoi se është e inkurajuar nga bisedimet mes Shkupit dhe Athinës për zgjidhjen e çështjes së emrit.

“Qëndrimi i Bullgarisë është i qartë se çështja e emrit është një çështje mes Shkupit dhe Athinës. Unë shpresoj se ka përparim në bisedimet. Pozita e Bullgarisë është se zgjidhja e emrit është e rëndësishme për BE-në dhe për dy shtetet. Shpresojmë shumë se zgjidhja nuk do të shkaktojë probleme të reja, por gjithsesi ajo varet nga të dyja palët. Unë jam e bindur se kolegët e mi do ta gjejnë zgjidhjen më të mirë”,- u shpreh ministrja e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva.

Integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është një nga temat e diskutimit të shefave të diplomacive të shteteve evropiane.

“Do të shikojmë se si do ta fuqizojmë perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe do të punojmë në përgatitjen e Samitit në Sofje. Nesër do t’i kemi edhe vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor, me të cilat veçanërisht do të bisedojmë për një nga pikat kryesore të Strategjisë për Siguri dhe Mbrojtje, të cilat janë shumë të rëndësishme”,- u shpreh përfaqësuesi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federika Mogerini.

Hungaria dhe disa vende anëtare kanë shprehur dëshpërim se Strategjia nuk parashikon që të pranojë vende të reja para vitit 2025.

“Ballkani Perëndimor ka shumë sfida dhe tensione të cilat lehtë mund të tejkalohen nëse integrimi në BE shkon më shpejtë. I mbështesim Serbinë dhe Malin e Zi që të shkojnë në mënyrë më të shpejtë drejtë integrimit. Edhe unë vlerësoj se 2025 është datë reale për zgjerim të këtyre dy shteteve, por i mbështesim edhe vendet tjera kandidate, Maqedoninë dhe Shqipërinë, për integrim më të shpejtë në BE”- u theksoi ministri për punë të jashtme të Hungarisë, Peter Sijarto.

Vendet anëtare në Sofje do ta shqyrtojnë situatën në Irak, rekonstruimin në Siri dhe përmirësimin e marrëdhënieve mes Koresë së Jugut dhe Veriut. /MTV