Incidenti i 5 prillit në Reçicë, 4 muaj burg për 4 nga të akuzuarit


Gjykata Themelore e Tetovës solli vendim për katër të akuzuarit që kanë pranuar tashmë fajin për pjesëmarrje në rrahje, gjatë incidentit në Reçicë të Vogël më 5 prill, ku mbeti i vrarë Naip Rexhepi.

Gjykatësi shqiptoi dënimin me 4 muaj heqje lirie për Ridvan Dervishin, Sabit Rexhepin, Halil Kamberin dhe Bulzim Bitin nga Shqipëria, me akuzën “pjesëmarrje në rrahje”. Për mbrojtjen e tyre, dënimi është rigoroz, por vendimi i gjykatës duhet respektuar.

“Ne mendojmë se është shumë rigoroz nga vetë fakti se këta katër janë edhe të dëmtuar dhe tani edhe të dënuar. Vetëm shqiptimi i dënimit është rigoroz, atë gjë nuk e prisnim ne, por megjithatë është vendim i gjyqit dhe ne duhet të respektojmë ashtu edhe si e sjell ligji”,- theksoi avokati, Miralem Asani.

Seanca për të akuzuarit e tjerë për rrahje, Bekim Rexhepi, Driton Ferati, Florim Misimi, Bashkim Misimi dhe Irfan Misimi, do të mbahet më 11 korrik. Ata këmbëngulin se nuk janë fajtorë për veprën për të cilën akuzohen, “vrasje”, “vrasje në tentim” dhe “pjesëmarrje në rrahje”. ( TVM2)