Haraçina, shtatë muaj pas fitores historike të LSDM-së


Haraçina vendi i cili shkruajti histori të re . Për të parën herë që nga pavarsimi i Maqedonisë ,zgjedhjet në këtë komunë i fitoi një parti maqedonase. LSDM së pari zgjedhjet i fitoi më dhjetor të vitit 2016 e pastaj edhe zgjedhjet lokale në tetor vitin e kaluar.

Atë që partitë shqiptare nuk mundën ta bëjnë gjatë gjithë këtyre viteve, kryetarja e komunës së Haraçinës nga rradhët e LSDM-së është e bindur se do ta bëj.

Banorët e Haraçinës vite me rradhë të lodhur nga gënjeshtrat e partive shqiptare vendosën që t’i ndëshkojnë ata, të ndryshojnë kahjen dhe të kërkojnë fatin e tyre diku tjetër. Ata Zoran Zaevin e panë si një shpëtimtarë, madje e quajtën si një engjull të rënë nga qielli.

Përskaj problemeve të shumta me të cilat po ballafaqohen banorët e Haracinës, kërkesat kyçe drejtuar kreut të LSDM-së janë: Kanalizimi, Ujësjellësi dhe Infrasturktura rrugore, gjëra elementare të cilat është mëkat të mungojnë në shekullin 21.

Zoran Zaev para zgjedhjeve disa herë ishte në Haraçinë. Çdo e dyta fjalë e tij ishte një shoqëri për të gjithë dhe  se do të ketë jetë edhe në Haraçinë. Të gjithë shpresat e haraçinasve u kthyen tek kryeministri aktual. Zaev arriti që t’i bind ata dhe kështu partija e tij u rendit e para në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2016, duke  fituar 2052 vota.

Ky ishte vetëm fillimi, haraçinasit vazhduan fuqishëm të përkrahin politikat e LSDM-së. Duke e marr parasysh përkrahjen e madhe që kishte LSDM në Haraçinë, kryetari i kësaj partie Zoran Zaev  vendosi që në zgjedhjet lokale në këtë komunë të garojë me kandidatë shqiptarë të partisë së tij dhe kështu vendosi që Milikije Halimi të kandidohet për kryetare të komunës së Haraçinës.  Para banorëve të Haraçinës Zaev premtoi se do t’i qëndrojë mbrapa zonjës Halimi dhe se do ta mbështesë atë në realizimin e projekteve të parapara për ata. Kështu që në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar zonja Halimi që në rrethin e parë bindshëm i fitoi zgjedhjet, me 3067 vota, 1000 më shumë se në zgjedhjet parlamentare ajo u zgjodh kryetare e komunës.

Për herë të parë pas zgjedhjeve lokale kryeministri dje vizitoi Haraçinën. Përveç që tha se komuna do të ketë ndërtesë të re, ai tha se një numër i madh i projekteve të premtuara janë realizuar.

“Po e mbajmë fjalën se do të mbështesim gjitha komunat rurale. Kjo vlen sidomos për Haraçinën, pasi që ka luajtur rol serioz në ndërtimin e një shoqërie për të gjithë. Kjo komunë bashkë me disa komuna tjera rurale ishin harruar në të kaluarën”, theksoi Zaev.

Kaluan 7 muaj nga zgjedhjet lokale. Premtime të shumta para zgjedhjeve. Shuma marramendëse për projektet e premtuara, por sa është punuar në Haraçinë gjatë këtyre muajve, kërkuam llogari nga kryetarja e komunës së Haraçinës për të na dhënë një raport të shkurtër për punën që ka bërë.

“Jemi mjaft të kënaqur dhe entuziast, pasi vlerësojmë se kemi një fillim shumë të mbare, dhe rezultatet do të shihen në periudhën që vjen. Aktivitete te shumta kemi pasur me shkollat ekzistuese, ku kemi bërë meremetimin e shkollave fillore, duke krijuar kështu një infrastrukturë të nevojshme dhe moderne për fëmijët tanë. Këtu nuk do te ndalemi, pasi presim edhe projekte tjera qe kemi aplikuar, pikërisht për përmirësimin e arsimit, që me dekada të tëra ka qenë i lënë pas dore në komunën tonë“,theksoi kryetarja e komunës Milikije Halimi.

E sa i përket kanalizimit ajo tha se si problem ekziston për më tepër se 30 vjet dhe se kërkon kohë për ta përmbyllur.

„Një pjesë  të kanalizimit gjatë kesaj periudhe te shkurtër, kemi arritur ta ndërtojmë, ose më saktë dy krahë kanalizim i kemi implementuar (diku 3 km gjatësi), nga 6 krahë sa janë komplet të parapara me projektin ekzistues. Kemi shumë shpresë se edhe pjesa tjetër do të implementohet dhe për këtë kemi aplikuar me projekte konkrete dhe kemi shenja inkurajuese. Ne kemi premtuar se gjatë 4 viteve tona, do ta zgjedhim problemin e kanalizimit dhe ujësjellësit, dhe ky objektiv është në angazhimet tona të përditshme. Njësoj, lidhur me ujin për pije, kemi inicuar aktivitetet e para, dhe rezultatet do të vërehe nga qytetarët shumë shpejtë“,theksoi Halimi.

Sipas saj tani në komunën e Haraçinës mund të vërehet një mjedis më i pastër.

„Brenda kësaj periudhe kemi menaxhuar deponinë e egër, që ka ekzistuar për periudhë shumë të gjatë kohore. Tani, më nuk ka mbeturina në afërsi të Varrezave të Dëshmorëve, ku kemi mbjellur pisha. Kështu deponia shkoi në histori, kurse aty do të ketë një park për qytetarët e komunës sonë. Ky është një sukses që është vlerësuar shumë nga qytetarët“,shtoi kryetarja e Haracinës.

Por sa janë të kënaqur banorët nga puna e deritanishme e kryetares së komunës së Haraçinës? Ata janë të ndarë në qëndrimet e tyre. Banorët vazhdojnë të kenë frikë nga politika. Druanin se mund të dëmtohen prandaj dëshiruan të mbeten anonim në deklaratat e tyre.

” Çka është punu!, po çka do të punohet, si çdo herë i marrin votat edhe rezultat nuk japin”, tha një banorë.

“Herët është të themi se është punuar apo jo. Do të presim edhe pak. Ne kemi thënë se në qoftë se nuk do të punohet ne dijmë edhe të ndëshkojmë”, tha një tjetër banorë.

“Nuk jam duke e përcjell aspak. Ka punar diçka, e di që sallën e sportit e ka riparuar. Tjetër nuk di”, tha tjetri banorë.

” Projekteve kapitale vijë nuk ja u ka bërë. Ka mbjell vetëm nja 10-20 drunj në obor të shkollës dhe ka shtruar nja 30 bekatonka, murin e varrezave te maqedonëve e ka ndertuar, tjeter aagjë nuk ka bë”, tha një qytetar tjerër.

Banorët e Haraçinës mbesin me shpresë për një jetë më të mirë. Të lodhur nga pritja, kërkojnë që sa më shpejtë të realizohen projektet kapitale. Ata presin rezultat nga kryetarja e komunës . Por nuk harojnë edhe premtimet e kryeministrit Zoran Zaev.

Në komunën e Haraçinës jetojnë rreth 15 mijë banorë.  Kjo komunë përfshin katër vendbanime : Haraçinën, Orllancën, Grushinën dhe Mojancën. Shtrihet në pjesën veriore të Maqedonisë. Kufizohet me Komunën e Gazi Babës, Ilindenit, Kumanovës dhe Likovës.

Armend Murseli