Han: KE-ja ka qëllim t’i japë rekomandim të pastër Maqedonisë


Qëllimi i Komisionit Evropian është që të japë rekomandim të pastër për fillim të negociatave për anëtarësim të Maqedonisë, por vendimin final për këtë e japin të gjitha vendet-anëtare, thotë në intervistën për TV Nova, eurokomisari prë zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johanes Han.

Për kontestin me Greqinë, që e ka bllokuar rrugën tonë drejt BE-së, Han thotë se BE-ja bën gjithçka që t’i lehtësojë bisedimet dypalëshe mes Shkupit dhe Athinës.

“Është me rëndësi që kolegët nga Shkupi dhe Athina të ulen në tryezë të përbashkët, të ndërtojnë besim dhe të gjejnë zgjidhje. Marrëdhëniet mes dy ministrave të punëve të jashtme janë të mira, si dhe mes dy kryeministrave dhe unë jam optimist se do të mund të gjejnë zgjidhje të përhershme dhe zgjidhje të qëndrueshme”, thotë Han.

Lidhur me Strategjinë për Ballkanin Perëndimor, që sot u prezantua në Strasburg dhe Bruksel, Han thotë se me këtë i jepet perspektivë e qartë vendeve të rajonit për atë se vendin e kanë në BE.

“Strategjia është udhërrëfyes për tre vitet e ardhshme, në gjashtë sfera të ndryshme, për të cilat janë propozuar 57 projekte konkrete në zhvillimin ekonomik, sundimin e drejtësisë, digjitalizimin, kontakte e drejtpërdrejta mes qytetarëve…, sqaron eurokomisari.

Sipas tij, nëse Maqedonia arrin ta bëjë hapin e ardhshëm drejt eurointegrimeve dhe fillon bisedime me BE-në, kjo do t’i sjellë bum investues, duke e theksuar si shembull Serbinë fqinje.

Lidhur me reformat në Maqedoni vëren se ato janë mjaft të ngadalshme dhe se nevojitet intensifikim i tyre. Shpreson se kur bëhet fjalë për prioritetin nacional, siç janë perspektiva evropiane për realizmin e saj do të kyçet në mënyrë aktive edhe opozita.

“Të gjitha partitë konfirmuan se e vazhdojnë eurointegrimin e vendit dhe për këtë pres konsensus nacionale për atë”; deklaroi eurokomisari Johanes Han.