Hajredini: BDI nuk është më partner i domosdoshëm për Zaevin


Sot është dita e fundit e punës për Dimitar Bogovin si guvernator i Bankës Popullore. Edhe pse mandati shtatëvjeçar i tij skadon më 21 maj, nuk dihet nëse propozimi i ri i presidentit Ivanov, Anita Angelovska Bezhoska do të gjendet në rend dite në seancën e nesërme të Kuvendit. Burime nga LSDM-ja shprehen se kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ka caktuar koordinim me partitë politike. Qëndrimi i BDI-së nëse janë pro ose kundër Bezxhoskës do të mësohet nesër pas koordinimit me kryeparlamentarin Xhaferi. Nga VMRO-ja opozitare mbeten në qëndrimin që mos të prezantojnë në koordinimet që i zhvillon Talat Xhaferi. Ish ministri i financave, Xhevdet Hajredini për Alsat M thotë se fakti që jozyrtarisht në opinion u përfol emri i Fatmir Besimit si guvernatori i ardhshëm i mundshëm është lojë e kryeministrit Zoran Zaev.

“U bë edhe një lojë e fëlliqët e Zoran Zaevit, për shkak se shumë herët e keqpërdori emrin e Fatmir Besimit. Fakti se përfaqësuesit e LSDM-së flasin në superlativ për kandidaten e Ivanov, tregon se kjo ishte një lojë e prishtë. Kjo tregon se BDI nuk është më faktor i domosdoshëm për Zoran Zaevin”, deklaroi Hajredini.

Nga partitë politike vetëm LSDM doli me qëndrim konkret se pozitivisht e vlerëson propozimin e presidentit Ivanov, propozim i cili erdhi menjëherë pas largimit nga gara të numrit një të BP-së Dimitar Bogov.

Fare nuk dyshoj se qëndrimi i përgjithshëm i grupit tonë të deputetëve lidhur me propozimin do të mbetet i pandryshuar – se do të jetë pozitiv dhe se vetëm do të vërtetohet në takimin e ardhshëm të grupit të deputetëve – deklaroi Tomislav Tuntev – LSDM.

Deklarata e këtillë shkaktoi reagime në opinion pasi shumica parlamentare dhe koalicioni qeveritar paralajmëronin qëndrim të unifikuar rreth kësaj çështje. Jozyrtarisht kandidati i përbashkët ishte Fatmir Besimi, që për momentin është edhe këshilltar në Qeveri. Pritet që nesër kreu i Kuvendit Xhaferi ta vendosë për votim para deputetëve propozimin që Bezhoska të emërohet për guvernatore e re, ndërsa për këtë nevojiten 61 votë për. Nëse i fiton, Bezhoska do të bëhet gruaja e parë guvernatore në vend.