Gruevski sërish e mohoi fajin për “Dhunën në Qendër”


Lideri i VMRO-DPMNE-së sot sërish e mohoi fajin për dhunën para komunës Qendër në qershor të vitit 2013.

Pas seancës së sotme gjyqësore në Gjykatën penale, Gruevski, i cili është i akuzuar në lëndën e PSP-së “Dhuna në Qendër”, deklaroi se nuk ndjen kurrfarë faji dhe se nuk frikësohet nga sanksionet.

“Seancat që janë të lidhrua me VMRO-DPMNE-në caktohen për një, dy apo deri në katër ditë, përderisa në rastet e Zoran Zaevit caktohen në kohë të pacaktuar dhe ky është ai lloj i pabarazisë, proteksionizmit të dukshëm nga ana e gjyqësisë”, tha Gruevski.

Në vazhdimin e sotëm të gjykimit për lëndën “Dhuna në Qendër”, fajin për veprën e kryer e pranoi edhe njëri nga 14 të akuzuarit. I akuzuari i pestë, Jovan Ristevski, mu para se gjykatësja ta shtyjë seancën e sotme dhe gjykimin ta caktojë për më 7 dhjetor, doli me pranimin se ndihet fajtor dhe u pendua për veprën.

Prokurorja Fatime Fetai kërkoi që procedura për të të ndahet dhe gjykimi për të të vazhdojë menjëherë.

Fajin për ngjarjet para komunës Qendër në qershor të vitit 2013, paraprakisht e pranoi edhe i akuzuari i katërt, Tomisllav Llazarov, i cili në procedurë të ndarë mori dënim të kushtëzuar gjashtëmujor, nëse në afat prej dy viteve nuk kryen vepër tjetër penale.

Në rastin “Dhuna në Qendër”, krahas Gruevskit, të akuzuar janë edhe ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski, deputetja Daniella Rangellova si edhe 11 persona të tjerë.