Gruevski dha dorëheqje, lideri i ri i VMRO-DMPNE-së do të zgjidhet në kongresin më 22 dhe 23 dhjetor


VMRO-DPMNE do të zgjedhë kryetar të ri të partisë më 22 dhe 23 dhjetor, pasi që Nikola Gruevski parashtroi dorëheqje të parevokueshme në mbledhjen e mbrëmshme të Komitetit Qendror të partisë.

Në kongresin e jashtëzakonshëm në Vallandovë, sipas sekretarit të përgjithshëm Hristijan Mickovski, do të marrin pjesë 544 delegatë të cilët do të zgjedhin pasardhësin e Gruevskit.

Megjithëse për momentin nuk ka konfirmim zyrtar, kandidatët më seriozë për pozitën e kryetarit të VMRO-DPMNE-së, sipas burimeve të partisë, janë Hristijan Mickovski, Nikola Poposki, Antonijo Miloshoski dhe Ilija Dimovski.

Sekretari i Përgjithshëm Mickovski para mbledhjes së Komitetit Qendror konfirmoi se nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë kandidat për lider partiak.

Ndërkohë, Miloshoski tha se ende nuk kishte vendosur nëse do të kandidonte për pasardhësin e Gruevskit. Sipas tij, është e rëndësishme që të kemi një kongres transparent.

“Më pak i rëndësishëm është emri i ri për kryetarin e partisë, më i rëndësishëm është koncepti i ri i veprimtarisë së partisë si një opozitë e shëndetshme”, theksoi Milloshoski.