GRUBI: Tashmë rrjedhin afatet për miratimin e shqipes


Kryetari i Komisionit për çështje evropiane Artan Grubi në Kuvend tha se është miratuar rendi i ditës për ligjin e gjuhëve në lexim të dytë dhe tashmë afatet po rrjedhin.

“Në mungesë të ministrit dhe zv/ministrit të Drejtësisë si propozues (që janë në vizitë zyrtare në Letoni), vendosa të thirr pauzë të seancës së sotme, ndërsa për vazhdimin do njoftoheni brenda ditës. Me rëndësi është që rendi i ditës është miratuar dhe në tre ditë e ardhshme të debatohet mbi amendamentet e parapara, por me rëndësi është që afatet për miratimin e gjuhës tashmë kanë filluar”, ka thënë Grubi.

Ai tha se nuk ka skenar tjetër përveç se miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve, ndërsa pret që edhe VMRO-DPMNE të jetë pjesë e debatit dhe të votojë miratimin e ligjit të gjuhëve, sepse siç shton, “rrumbullakimi i MO-së është në interes të vendit”.

Sipas Grubit nëse gjithçka shkon në rregull, të mërkurën do të miratohet ligji dhe së paku do të ketë përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë.

Në lexim të parë ligji është miratuar më 15 nëntor.