Grubi drekoi me Nimicin në Nju Jork


Deputeti i BDI-së, Artan Grubi sot në Nju Jork kishte drekë pune me ndërmjetësuesin e Kombëve të Bashkuara në kontestin për emrin, ish diplomatin amerikan, z.Methju Nimic.

Grubi ia shprehi z.Nimic të gjitha përshtypjet nga takimet intensive në Uashington, duke përfshirë dhe sugjerimet edhe nga bashkëbiseduesit e tjerë në periudhën midis takimeve të përbashkëta.

Dy bashkëbiseduesit diskutuan në përgjithësi për kontestin për emrin dhe ndërmjetësimin e z.Nimic dhe shkëmbyen mendime për ngjarjet aktuale.

Qëndrimet e dy kryeministrave nxisin optimizëm se tani zgjidhja është më afër se kurrë. Sipas Grubit dhe BDI, zgjidhja përfundimtare e cila do të arrihet duhet të jetë me dinjitet dhe e pranueshme për të dy palët.

Kompromisi duhet të mundësojë integrim urgjent dhe pa asnjë vonesë të Maqedonisë në NATO dhe BE. Kjo do të kontribuon në paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në vendin tonë dhe rajon, por së bashku edhe me reformat sistemore paraqet parakusht për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie shoqërore.

BDI plotësisht i mbështet përpjekjet e z.Nimic dhe negociatorëve në kontestin me fqinjin tonë jugor.