Ganiu: Po punojmë edhe jashtë orarit të punës për të realizuar “Kontratën”


Intervistoi: Armend Murseli

Zotëri Ganiu na thoni se cilat janë projektet prioritare të cilat ju i keni paraparë që t’i realizoni gjatë këtij viti?

I gjithë programi i cili është i quajtur “Kontratë” është prioritet për ne, por ne jemi duke vendosur një dinamikë se si t’i realizojmë ato projekte, për arsye se shumë nga ato projekte për çështje të mungesës të dokumentacioneve të kompletuara do të na marrin pak kohë. Këtë vit kemi paraparë që të fillojmë projektin shumë të madh që me vite i ka munguar dhe është problem në lagjen Seravë siç është rikonstruimi i infrastrukturës nëntokësore, të cilën do ta bëjmë në partneritet me Ministrinë e Ekologjisë. Mendojmë që 50 përqind e këtij projekti do të mbaron këtë vit, ndërsa pjesa tjetër do të mbetet vitin e ardhshëm për shkak se natyra e kësaj problematike është e tillë dhe kërkon më tepër kohë . Ne nuk mund të punojmë në të gjitha lagjet përnjëherë pasi që do t’i bllokojmë qytetarët por do të shkojmë rrugë për rruge. Gjithashtu mendojmë që këtë vit do të përfundojmë me rekonstruimin e palestrës “Partizan” dhe për këtë kemi ndarë buxhet prej 12 milion denarë. Për këtë vit prioritet kemi edhe ndërtimin e palestrës në oborin e shkollës fillore Kongresi i Manastirit. Gjatë këtij viti do të bëjmë gjithashtu revitalizimin e hapësirave të gjelbërta në bashkëpunim me Ndërmarrjen Publike “Parqet dhe gjelbërimet”. Do të realizojmë edhe projekte tjera që ne i quajmë më të vogla por që janë shumë domethënëse për bashkëqytetarët tanë.

Po kalojnë mbi katër muaj nga zgjedhja juaj si kryetar i Komunës së Çairit. Mund të na jepni një raport të shkurtër se cfarë konkretisht keni bërë gjatë kësaj periudhe?
Ashtu siç edhe thash këto muajt e parë për arsye të mungesës të dokumentacioneve nuk kemi mundur të fillojmë me realizimin e projekteve siç janë investimet kapitale. Duke dashur që të japë një raport për punën e deritanishme në këtë afat të shkurtër kohor, se çka është bërë në Çair po i potencoj veprimet e ndërmarra nga ana e Komunës së Çairit:
• Janë ndërmarrë aksione për mirëmbajtjen e pastërtisë së ambientit jetësor ku u angazhuan punëtorë sezonal të Komunës, me ç’rast janë mbledhur 50 m³ hedhurinë ndërtimore dhe 200 m³ mbeturina publike.
• Mirëmbajtja e rregulltë e ndriçimit publik në territorin e Komunës së Çairit. Gjatë periudhës në vazhdim do të bëhet vendosja edhe e shtyllave të reja të ndriçimit.
• Është realizuar krasitja e degëve të drunjve si dhe prerja e drunjve të rrezikshëm në prag të rënies në rrugët “Xhon Kenedi”, “Brigada Maqedone-Kosovare”, “Brigada e Dytë Maqedonase”, “Hristijan Todorovski Karposh”, “Kemal Sejfulla” dhe në vijim është krasitja e drunjve në Parkun e Çairit. Ky aksion do të vazhdojë edhe më tej në rrugët tjera dytësore edhe për arsye të arritjes së efektit të duhur të ndriçimit publik.
• Kemi angazhuar inspektoratin komunal që të largoj shitësit jolegal nga hapësirat publike ku qarkullojnë qytetarët dhe të parandalojnë uzurpimin e pronave publike. Gjithashtu janë ndërmarrë aksione për rrënimin e objekteve pa leje ndërtimi. Është marr vendim për rinovimin e hapësirave higjienike dhe sanitare (tualeteve) në të gjitha shkollat fillore në territorin e Komunës së Çairit. Së shpejti në bashkëpunim me Qytetin e Shkupit do të realizohet aksion për rregullimin e bulevardit në afërsi të Bit Pazarit me vendosjen e një taksi stacioni të ri, mbjelljen e drunjve përgjatë bulevardit, vendosjen e shtyllave që do të parandalojnë parkimin e veturave nëpër trotuare, etj.

 Siç e dini në komunikacion po mbizotëron një kaos i vërtetë. Si mendoni ta zgjidhni këtë problem?
-Zgjidhja e problemit me komunikacionin do të jetë e mundur me ndërtimin e rrethrrotullimeve në bulevardet ekzistuese në Komunën e Çairit dhe vendosjen e rregjimit për rrugë njëkahëshe si fillim në Çair të Vjetër dhe në Fushë Topanë. Ndikim të madh do të ketë edhe strategjia për vendosjen e duhur të sinjalizimit rrugor.

 Cila është porosia juaj për personat të cilët parkohen në rrugët kryesore dhe bllokojnë komunikacionin?
-Porosia ime drejt atyre personave është që të mos e bëjnë një veprim të atillë, të sillen sipas rregullave të komunikacionit. Në Çairin ku jetojmë duhet që bashkarisht të investojmë dhe të i’a kthejmë imazhin pjesës më të vjetër të qytetit të Shkupit, që do të tregojë se kjo pjesë e qytetit është e ndërtuar dhe civilizuar. Do të kisha bë një porosi edhe te Ministria e Punëve të Brendshme, sidomos sektorit për komunikacion që të jetë më aktiv dhe të vendos rregull në komunikacion. Unë me shkresë jam drejtuar deri tek institucionet në fjalë dhe ka një përmirësim të dukshëm.

Keni premtuar ndërtimin e garazheve në kate me buxhet prej 1 miliardë denarëve. A i keni caktuar lokacionet se ku do të ndërtohen këto garazhe dhe kur pritet të fillojnë punimet?
Me ndërtimin e tregut të gjelbër, do të ketë një hapsirë për 240 vetura mbi tregun. Projektin të cilin do ta fillojmë këtë vit është edhe garazha në kate te Teatri Shqiptarë. Është një procedurë ku një pjesë e pronësisë është e teatrit, gjegjësisht e Ministrisë së Kulturës dhe me një vendim qeveritar presim t’i jepet komunës. Për këtë kemi pas kontakte edhe me kryetarin e Qytetit të Shkupit edhe me drejtorin e Ndërrmarjes për Parkingje, ata janë të gatshëm që këtë projekt brenda këtij viti ta fillojmë. Lokacioni që e kemi paraparë për parking është edhe rruga e plastikave, edhe atë i’a kemi ofruar Ndërrmarjes për Parkingje që të investojë aty dhe kuptohet që pastaj në të ardhmen bashkarisht t’i menaxhojmë ato parkingje. ku një sumë më të madhe do ta ketë ndërrmarja, ndërsa një pjesë pak më të vogël do ta ketë komuna.

Në Çarshinë e Vjetër të Shkupit kafenetë i kanë nxjerrur terasat e tyre në rrugë dhe e kanë uzurpuar rrugën në të cilën kalojnë këmbësorët, a do të ndërmerrni masa ndaj tyre?
Territori i Çarshisë së Vjetër është i ndarë në aspekt të përgjegjësisë, një pjesë është nën kompetencë të Komunës Qendër, kurse një pjesë nën kompetencë të Komunës së Çairit. Inspektoratet komunale dhe njëherit inspektorati i tregut do të realizojnë bashkëpunimin e nevojshëm për kontrollimin e dokumentacionit të kafeneve në fjalë dhe do të ndërmerren masat përkatëse për ata që uzurpojnë hapësirat publike. Ju siguroj se do të ndërrmarim hapa dhe jemi duke përpiluar një ligj i cili do të vlejë enkas për Çarshinë se me çfarë kriteriume dhe kushte kanë të drejta kafenetë ti shfrytëzojnë terasat.

A ka shumë punë për tu bërë në Çair dhe a jeni optimist që brenda mandatit tuaj 4 vjeçar do të arrini ti realizoni të gjitha projektet të cilat i keni premtuar para qytetarëve?
-Unë jam optimist edhe prej natyrës. Që nga fillimi i detyrës shumë shokë më kanë sugjeruar se ka probleme të mëdha. Është një komunë me hapsirë të vogël në raport me numrin e banorëve që kemi, por unë mendoj dhe jam i bindur se të gjitha projektet që i kam pasur në kontratën time do t’i realizojë. Shpesh kam dëgjuar edhe nga të tjerët se puna më e madhe është përgatitja e dokumentacioneve e cila merr shumë kohë. Nga momenti që jam kryetar i komunës së Çairit ekipet që janë këtu janë duke punuar edhe jashtë orarit të punës dhe janë duke përgatitur detajet për çdo projekt që kisha unë në program dhe mendoj që kjo është një lehtësim shum i madh, pasi që në të ardhmen ne nuk do të kemi problem rreth projekteve, por do të koncentrohemi në partneritet me Qytetin e Shkupit dhe Qeverinë si dhe me grante nga ambasadat t’i realizojmë të gjitha ata projekte të cilat ne i kemi premtuar para bashkëqytetarëve tanë . /Nezavisen