Funksionarët e Aleancës, zyrtarisht janë akoma në fuqi


Në zyrat zëvendësministrave dhe drejtorëve që iu ndanë Aleancës për Shqiptarët, vazhdojnë të qëndrojnë emrat e funksionarëve të partisë së Selës edhe pse të njëjtit nuk paraqiten në punë pas deponimit të dorëheqjeve.

Që të lëshojnë pozitën që u është dhënë, ata po presin vendimin e Qeverisë dhe kryeministrit Zoran Zaev.

Ky i fundit për Televizionin Alsat përmes një mesazhi tha se institucionet që i janë ndarë Aleancës për Shqiptarët gjatë formimit të Qeverisë, vazhdojnë të jenë nën udhëheqjen e anëtarëve të partisë së Selsë deri në zgjedhjen e drejtorëve dhe zv/ministrave të rinj.

Në mungesë të tyre, Zaev tha se këto institucione nuk do mbesin keq dhe se do të udhëhiqen nga zëvendësit ose njerëz kompetent për kryerjen e punës së funksionarëve në dorëheqje.

I kontaktuar nga Alsat, kryeparlamentari Talat Xhaferi tha se në Kuvend të Maqedonisë ende nuk ka arritur asnjë vendim qeverie për riemërimin e zv/ministrave që i takonin Aleancës për Shqiptarët.

Nga institucioni ligjvënës bëjnë me dije se menjëherë pas vendimit të kryeministrit Zaev për riemërim të zv/ministrave, në seancën e parë do konstatohen dorëheqjet për 3 zv/ministrat e Aleancës, si Remzi Memedi zv. ministër për Transport dhe Lidhje, Arta Toçi zv. ministre për Punë të Jashtme, si edhe zv. ministër i Punë dhe Politik Sociale, Elmi Aziri.

Ndryshe vendimi i Aleancës për Shqiptarët për të lëshuar Qeverinë, erdhi pas mosmarrëveshjes për Ministrinë e Shëndetësisë.

Kryeministri Zoran Zaev nuk pranoi që Shëndetësia të mbetet në duar të Aleancës pas largimit të Arben Taravarit i cili lëshoi ministrinë për tu bërë kryetarë i Komunës së Gostivarit.

Selës në këmbim të Shëndetësisë iu ofrua posti i zv/kryeministrit për reforma, por ky post ishte i papranueshëm për Aleancën për Shqiptarët.