FT: Cipras luan poker në lidhje me Maqedoninë


Aleksis Cipras po përballet me rezistencë të madhe popullore dhe politike drejt çfarëdo lloj përdorimi të termit “Maqedonia” në emrin e vendit. Nga ana tjetër, sërish, shpërblimi diplomatik për zgjidhjen e kontestit të emrit që mund ta marrë është e rëndësishme për të dhe mund ta shndërrojë në Oto fon Bizmark të Ballkanit, shkruan “Fajnenshëll Tajms” në artikullin nën titullin “Cipras luan poker në lidhje me Maqedoninë”.

Gazeta prestigjioze britanike duke bërë kthim historik në kontestin mes të dy vendeve deri më sot, thekson se rreth 60 për qind e grekëve e kundërshtojnë emrin e përbërë i cili do ta përmbante termin “Maqedonia” ndërsa tregon edhe për mijëra qytetarë të cilët morën pjesë në protestat në Selanik muajin e kaluar, si dhe për protestën e ardhshme që është caktuar për të dielën në Athinë.

FT shkruan se opozita greke Demokracia e Re e ka sulmuar Ciprasin që nuk i ka përfshirë në bisedimet për emrin dhe shton se Kisha greke, e cila në fillim ka dhënë mbështetje për Ciprasin, tani është kundër tij. Në gjithë këtë rrëmujë, e cila sipas gazetës ngjan në kaos, është edhe qëndrimi i ultranacionalistëve të cilët janë pjesë e koalicionit në Qeverinë e Ciprasit, ndërsa të cilët çështjen e emrit për Maqedoninë e vendosin në qendër të politikës së tyre irrendentiste.

“Për liderin e SYRIZA-s edhe vetë shqyrtimi i emrit është strategji me rrezik të madh në vitin kur vendi duhet ta kremtojë daljen e saj nga kriza debitore tetëvjeçare. Ndërkaq, çmimi i mundur diplomatik është i rëndësishëm për të. Nën presionin e Uashingtonit, i cili sivjet dëshiron që Maqedonia të inkuadrohet në NATO, dhe në Bashkimin Evropian, e cila ende mendon për lehtësimin e borxheve greke, kompromisin që do ta arrinte Ciprasi do ta shndërronte në Oto fon Bizmarkun e Ballkanit”, thekson “Fajneshëll tajms” në analizën e saj.

Nga ana tjetër, ndërkaq, shtohet në analizë, gazeta përfundon se për grekët emocional, të cilët janë nën fuqinë e kreditorëve të huaj pothuajse për një dekadë, kjo mund të jetë pika e ujit që do të derdhej nga gota.