Fotografimi i Çavkovit, dënim me kusht për dy të punësuar në burg


Pas veprimeve hetuese të zbatuara, prokurori publik i Prokurorisë Publike Themelore Shkup në Gjykatën Penale dorëzoi propozim për lëshimin e urdhëresës ndëshkuese kundër dy personave zyrtarë nga IPN Burgu “Shkup” në Shkup.

Personat, siç kumtoi Prokuroria, ngarkohen se e kanë kryer veprën penale “incizim të paautorizuar” nga neni 152 paragrafi 2 dhe paragrafi 1 i Kodit Penal.

Nga Prokuroria theksohet se më 30 nëntor të vitit të kaluar i akuzuari i parë si person zyrtar që ka qenë gardian në kullën e gardianëve e ka vërejtur të dëmtuarin – ish-funksionar në MPB, e ka shfrytëzuar momentin e volitshëm dhe përmes dritares pa pëlqimin e tij e ka fotografuar, me këtë rast duke e shkelur privatësinë. Fotografitë në një mesazh privat, përmes rrjeteve sociale ua ka përcjellë tre kolegëve, në mesin e të cilëve edhe të akuzuarit të dytë i cili më tej fotografinë ia ka ndarë edhe dy nëpunësve policorë.

Në propozimin për lëshimin e urdhrit ndëshkues është propozuar Gjykata të akuzuarve t’u shqiptojë dënim me kusht dhe t’u përcaktojë dënim me burg në kohëzgjatje prej tre muajsh, që nuk do të kryhet nëse të akuzuarit nuk kryejnë vepër të re penale në kohëzgjatje prej dy vitesh.