Fetai: Presim sanksion të njëjtë për Ristovskin si në rastin me Lazarovin


Sot patëm edhe një procedurë të ndarë, sepse edhe një prej të akuzuarve nga rasti i PSP-së “Dhuna në Qendër”,e  pranoi fajin për veprën penale që akuzohet, deklaroi sot prokurorja speciale Fatime Fetai, pas përfundimit të debatit të përgjithshëm për rastin.

Fetai tha se gjykata nesër do ta shpall vendimin për sanksion penal dhe se presin aktgjykim të njëjtë si në rastin me Tomislav Lazarovin.

“Dhamë edhe fjalë përfundimtare dhe nesër duhet të shpallet aktgjykimi”, theksoi Fetai.

Në lidhje me të akuzuarit tjerë, theksoi se debati i përgjithshëm do të vazhdojë më 7 dhjetor, sepse njëri prej avokatëve të tre të akuzuarve në këtë lëndë ka munguar me arsyetim, ndërsa që t’i mundësohet secili të akuzuar e drejta e tij bazë për të pasur mbrojtës në procedurë, pranuan që të shtyhet debati i përgjithshëm.

Sot në Gjykatën penale-Shkup filloi dhe përfundoi debati i përgjithshëm në procesin gjyqësor kundër Jordan Ristevskit, i akuzuari i pestë në lëndën e PSP-së “Dhunë në Qendër”, i cili në seancën e sotme me vetëiniciativë e pranoi fajin.

I akuzuari Ristevski sot papritmas e pranoi fajin dhe para gjykatësit dhe prokurorëve të PSP-së vendosi të përfaqësohet vetë, pa ndihmën e avokatit. Ai tha se nuk ka pasur kurrfarë presione, as kërcënime, për ta pranuar fajin.

Mbrojtësi i tij i deritanishëm Boro Ristevski, e anuloi autorizimin për përfaqësim. sepse, siç tha, edhe vetëm është befasuar nga pranimi i fajit të klientit të tij.

“Pas seancës së fundit gjyqësore i shqyrtova veprat për të cilat akuzohem, dua të them se e pranoj fajin e bërë dhe ndjej keqardhje të thellë”, tha Ristevski në sallën gjyqësore.

Paraprakisht, siç njofton MIA, prokurorja Fatime Fetai kërkoi që procedura për të të ndahet dhe gjykimi për të vazhdojë menjëherë.

Faj për ngjarjet para komunës Qendër në qershor të vitit 2013, paraprakisht pranoi edhe i akuzuari i katërt Tomislav Lazarov, i cili në procedurë të rregullt moti dënim me kushte prej gjashtë muajve, nëse në afat prej dy viteve nuk bën ndonjë vepër tjetër penale.

Në seancën e sotme gjyqësore mori pjesë edhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, i cili akuzohet në lëndë, ndërsa në dalje nga salla gjyqësore deklaroi se nuk ndihet fajtor për akuzën dhe se nuk ka frikë nga asnjë sanksion.