Fatmir Besimi “out” lojës për guvernator, LSDM i tha po propozimit të Ivanovit


Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) do ta pranojë propozimin e ri të presidentit Gjorgje Ivanov që Anita Bezhovska,zv/guvernatore e deritanishme të jetë guvernatore e Bankës Popullore të Maqedonisë.
Me këtë ka rënë nga loja propozimi që ishte lansuar disa muaj më parë nga ana e BDI-së, që ish-ministri Fatmir Besimi të jetë në këtë post, informon INA.

Nga kjo parti nuk ka deri tani ndonjë qëndrim se a do të përkrahin propozimin për Bezhovskën. Guvernatori i ri duhet të votohet të hënën, pasi që propozimi i Ivanovit është dërguar në Kuvend. Koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Tomislav Tuntev tha se konsideron që Bezhoska është eksperte e dëshmuar dhe profesioniste në fushën e saj, e cila e meriton mbështetjen e tyre.

“Nuk dyshoj se qëndrimi i përgjithshëm i grupit tonë të deputetëve lidhur me propozimin do të ndryshojë, se do të jetë pozitiv dhe se vetëm do të konfirmohet në takimin e ardhshëm koordinativ të grupit të deputetëve”, deklaroi Tuntev. Edhe VMRO-DPMNE deri tani nuk ka shprehur ndonjë qëndrim rreth përkrahjes së propozimit të presidentit Ivanov. Për zgjedhjen e guvernatorit duhet votim i thjeshtë prej 61 votave.