“Është momenti për bisedime ndërpartiake mes liderëve shqiptarë”


Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela ka sugjeruar se kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti duhet të thirrë tryezën e partive shqiptare për të diskutuar çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me shqiptarët si dhe të informohen partitë lidhur me procesin e negociatave për zgjidhjen e kontestit të emrit dhe propozimet që po qarkullojnë në opinion.

Analistët shprehen të mendimit se tani është momenti për bisedime ndërpartiake mes liderëve shqiptar.

Analisti politik, Selim Ibraimi për Zhurnal shprehet se duke parë parasysh mardhëniet e tensionuara mes Ahmetit dhe Selës është shumë e vështirë të realizohet një takim i tillë. Sipas tij moskoordinimi i liderëve shqiptar e ka dëmtuar popullatën shqiptare.

“Në fakt tani është koha për bisedime ndërpartiake në mes liderëve shqiptarë por duke e i marrë parasysh raportet e tensionuara personale në mes Ahmetit dhe Selës, jam pesimit se një takim i tillë do të realizohet. Dinamika e negociatave po ndryshon ndërsa partitë opozitare shqiptare nuk kanë informata të dorës së parë se në çfarë niveli kanë arritur bisedimet. Infomacione më të sakta dhe të dobishme rreth procesit të negociatave posedon BDI dhe kjo u vërtetua nga takimi i fundit i Kotsiasit me Ahmetin në Shkup. Andaj është mirë që për çështjet jetike të shqiptarëve të Maqedonisë liderët të debatojnë dhe të mbajnë një qëndrim.Por dyshoj se do të vijë deri ndonjë tryezë pasi këtë e kërkon vetëm njëra palë dhe nuk ka vullnet për ulje në tavolinë dhe ulje të armiqësive personale.Tryeza e rrumbullakët më shumë u shfrytëzua për lajka, taktizime dhe lojëra politike në mes liderëve shqiptarë. Hstorikisht moskoordinimi i liderëve shqiptarë që nga vitete e 90-ta ka dëmtuar popullatën shqiptare po jo politikanët shqiptarë”, ka deklaruar për Zhurnal, analisti politik, Selim Ibraimi.

Nga ana tjetër analisti politik Nijazi Muhamedi sugjerimin e Ziadin Selës e konsideron si të kotë dhe naive.

“Thirrja e Selës ishte thirrje kotnie. Ky vetë është në parlament si deputet dhe si “lider’ dhe del naiv me thirrjen, e cila tregon se ky s’paska ditur gjë kah shkojnë “punët reformuese”dhe pret të marrë informacion dhe “angazhim të përbashkët” nga tjetri lider qe pikerisht “punët reformuese” i ka katranosur”, ka deklaruar për Zhurnal, analisti politik, Nijazi Muhamedi.

Muhamedi mes tjerash shprehet se tryeza e përbashkët ,në atë menyre si u thirr ajo për Platormën shqiptare,të cilen e groposen vetë pjesemarrësit e saj,duke ia vëne mbi tryezë Ivanovit dhe Zaevit,mund të jetë prap nje veprim boshësie politike, të cilin duan ta instrumentalizojnë për hesape partiake dhe për t’u mveshur me “një legjitimitet pa legjitimitet” për mbetje në skenen politike.