Emri, partnerët qeveritar të pavendosur për referendumin


Qeveria thekson nevojën për konsensus me opozitën për zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë, por akoma nuk ka konsensus rreth asaj se si do ta mbyll këtë çështje. Zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski tha se për këtë çështje duhet të ketë referendum por Zv/kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani thotë se Qeveria akoma nuk ka ndarë mendjen nëse çështjen do të mbyll në referendum ose në Kuvend ndërsa

“Nuk mendoj se në këtë fazë duhet ta ngarkojmë çështjen me hapat e dyta, të treta dhe të katërta. Le t’i lëmë ato t’i diskutojmë pastaj! Tani le të ulemi me palën greke dhe të gjejmë një zgjidhje të përbashkët, pastaj se si do ta verifikojmë, a do ta verifikojmë në Parlament apo me referendum ajo është faza e dytë”, deklaroi Bujar Osmani, Zv/kryeministër për Çështje Evropiane.

“Negociatat vazhdojnë. Në këtë fazë akoma nuk kemi zgjidhje të dukshme. Megjithatë ashtu siç është thënë më shumë herë, është e nevojshme të ketë referendum në Republikën e Maqedonisë”, tha Mile Boshnjakovski, Zëdhënës i Qeverisë.

Se duhet të ketë referendum, dje për herë të parë pas zgjedhjeve lokale e tha shefi i diplomacisë, Nikolla Dimitrov

“Në programet zgjedhore të partive të mëdha politike qëndron referendumi. Ky është premtim parazgjedhor. E dyta, çështja ka aso natyre që mendoj se nuk mund të zgjidhet në mënyrë të qëndrueshme nëse nuk pyeten qytetarët. Mendoj se qytetarët patjetër duhet të pyeten”, u shpreh Nikolla Dimitrov, Ministër i Jashtëm.

Por paraprakisht kreu i ligjvënësit, Talat Xhaferi ndonëse nuk përjashtoi mundësinë e organizimit të referendumit tha se Kuvendi ka kapacitet dhe legjitimitet ta mbyll këtë, por pa saktësuar nëse shumica do të arrij të siguroj edhe votat e opozitës për të pasur konsensus të gjerë. Madje Zv/kryeministri për Çështje Evropiane kishte deklaruar se zgjedhjet lokale ku qytetarët shprehën mbështetje për partitë në pushtet ishin vetë referendumi.

“Mendoj se është mundësi e mjaftueshme që Parlamenti në emër të qytetarëve, si bartës i sovranitetit të qytetarëve i përcjellë në zgjedhje me atë perceptim që kanë qytetarët, mendoj që i kanë dhënë legjitimitet të plotë Parlamentit që në emër të qytetarëve të mund të vendosë edhe për këtë çështje”, deklaroi Talat Xhaferi, Kryetar i Kuvendit.

“Mendoj se këto zgjedhje ishin referendum. Në këto zgjedhje ne paralajmëruam zgjidhjen e çështjes së emrit dhe i morëm këto numra. (Që dmth se nuk do të ketë referendum për emrin?) A nuk ishin një referendum këto zgjedhje?!”, pati theksuar Bujar Osmani, Zv/kryeministër për Çështje Evropiane.

Ekspertja e kushtetutës, Margarita Caca Nikollovska vlerëson se Kushtetuta i le të hapura të dyja mundësitë, por se sipas saj zgjidhje më e mirë do të ishte vendimi parlamentar.

“Unë jam për atë që të ketë konsensus. Përmes ekzistimit të konsensusit për emrin, i cili konsensus mund që edhe në mënyra të tjera të vlerësohet atëherë mund që vetëm Kuvendi të sjell vendim. Dhe ky konsensus nuk është patjetër gjithnjë të shprehet ekskluzivisht përmes referendumit”, u shpreh Margarita Caca Nikollovska, eksperte.

Lëvizje në bisedimet për çështjen e emrit, apo ndonjë zgjidhje konkrete bazuar në prononcimet e deritanishme pritet vitin e ardhshëm kur palët do të intensifikojnë negociatat. /Alsat-M