Emri “Maqedoni” mbetet i papranueshëm për Kamenosin

Ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kamenos, duke i komentuar ngjarjet e fundit në bisedimet mes Shkupit dhe Athinës, deklaroi se partia e tij Grekë të Pavarur, e cila është partnere më e vogël e koalicionit në Qeverinë e Greqisë, nuk do ta pranojë fjalën “Maqedoni” të qëndrojë në emrin e fqiut verior, publikoi botimi elektronik i “Katimerinit”.

Kamenos dje gjatë vizitës në kampin ushtarak Dalipi në Selanik, ka thënë se mbeten në pozicionin të vërtetuar në vitin 1992 në takimin e liderëve partiakë nën patronazhin e presidentit të atëhershëm Konstantin Karamanlis se termi “Maqedoni” në emrin e shtetit fqinj nuk është opsion i pranueshëm për Greqinë. Për ndryshim të këtij pozicioni, sipas tij, do të nevojitet mbledhje e re me presidentin aktual Prokopis Pavlopulos, transmeton MIA.

Katimerini” përkujton se në vitin 2007, Greqia, megjithatë u dakordua që fjala “Maqedoni” të qëndrojë, por në emër të të ndërlikuar që do të ishte për përdorim të përgjithshëm.

Gazeta komenton se pozicioni i këtillë i liderit të Grekë të Pavarur, Panos Kamenos do të thotë se Cipras do të duhet të mbështetet në parti të tjera që të sigurojë mbështetje për këtë çështje.