Emrat e kandidatëve për kreun e VMRO-së, “top sekret”


VMRO-DPMNE nuk do t’i zbardhë emrat e kandidatëve për kryetarë të ardhshëm të partisë që mos të favorizojë dikë. Deri më sot në Këshillin Qendror të partisë nuk ka arritur ndonjë aplikim. Afati përfundimtar është deri të enjten në ora 15:00. Në këtë ditë, partia edhe zyrtarisht do të njoftojë se kush është paraqitur për postin e kryetarit. Në opinion nga ana tjetër qarkullojnë emrat e disa anëtarëve. Sekretari i përgjithshëm, Hristijan Mickoski për Alsat M sot konfirmoi se ende nuk ka dorëzuar kandidaturë, ndërsa Ilija Dimovski nuk iu përgjigj mesazheve.

Krahas këtyre, për kolltukun e partisë lakohen edhe emrat e ish shefave të diplomacisë, Antonio Miloshoski, Nikolla Poposki, si dhe ish ministri i shëndetësisë dhe arsimit, Nikola Todorov. Por, në këtë garë është futur edhe anëtari i vjetër i partisë, Filip Petrovski. Përmes videos në rrjetet sociale, siç tha, duke ndjekur shembullin e Donald Tramp, Petrovski u është drejtuar anëtarëve të VMRO-DPMNE-së. Ai kërkoi që anëtarësia të vendosë se kush do të udhëheqë me opozitën e jo që të drejtën ekskluzive për këtë ta kenë vetëm delegatët. Ai konsideron se lideri i ardhshëm nuk duhet të jetë sipas qejfit të ambasadave të huaja. Petrovski është takuar edhe me liderin në largim, Nikola Gruevski.

“I thashë, zotëri Gruevski si mund unë të garoj si kandidat për kryetar prej në shtëpi, nga kjo bibliotekë që e shihni, aty ku punoj, duke mos mbajtur kontakte me komitetet komunale, duke mos mbajtur kontakte me delegatët? Kjo nuk është garë korrekte, ndërsa dikush ta përdorë ndërtesën e partisë dhe infrastrukturën dhe ta shfrytëzojë faktin që gjendet në objektin e njëjtë me Gruevskin dhe të paraqitet si kandidat i tij. Për këtë, gjejini delegatët dhe thuajuni, anëtarësia e VMRO-DPMNE-së është me Filip Petrovskin – deklaroi Filip Petrovski, VMRO-DPMNE.

Kongresi i jashtëzakonshëm për emërimin e kryetarit të ri të VMRO-DPMNE-së, pas dorëheqjes së Nikola Gruevskit është në fundjavën e ardhshme më 22 dhe 23 dhjetor në Vallandovë, ku do të vendosin votat e 544 delegatëve. Gruevski përmes rrjetit social fejsbuk para tre ditëve i paralajmëroi ata që kanë ambicie që mos abuzojnë me emrin e tij që të grumbullojnë nënshkrime nga delegatët për zyrtarizimin e kandidaturës. Apeloi gjithashtu që kandidatët që janë në poste më të larta partiake të mos e keqpërdorin pozitën dhe të kryejnë presion ndaj atyre që janë më poshtë.

Me letër të hapur në fejsbuk u prononcua edhe ish zv/kryeministri Vladimir Peshevski, i cili është delegat me të drejtë vote në kongresin e ardhshëm. Ai kërkoi nga lideri i ardhshëm që të tregojë pjekuri, ta zgjat dorën drejt LSDM-së, të fillojë proces të pajtimit, por edhe ta ndryshojë qëndrimin negativ të shqiptarëve ndaj partisë. Kërkoi që lideri i ardhshëm i VMRO-DPMNE-së ta ndryshojë qasjen edhe ndaj mediave dhe të mos i përsërisë gabimet që ata i kanë bërë si kryesi, gjegjësisht “Nëse nuk je me mua, atëherë je kundër mua”.