Ekspertët e vlerësojnë pozitivisht takimin e liderëve


Ekspertët e vlerësojnë pozitivisht takimin e mbrëmshëm të liderëve, edhe pse nuk u arrit konsensusi i pritur kombëtar për emrin. Për Lupço Ristovskin është mirë që përfundimisht pushteti e opozita u ulën për ta diskutuar një çështje kaq kyçe për vendin.

Përfundimisht punët po e marrin drejtimin e vërtetë. Pra pushteti patjetër të bisedojë me opozitën dhe është normale ta përfshijë Presidentin, për shkak se një pjesë e ingerencave të tij janë në pjesën e politikës së jashtme të Republikës së Maqedonisë. Pozitive janë këto takime për çështje kyçe të cilat kanë peshë ose t’i qetësojnë ose t’i përkeqësojnë marrëdhëniet në periudhën që vjen. Pra është e rëndësishme të bisedohet. është e rëndësishme të kyçet opozita në proces. Qeveria dhe opozita këtu janë të barabartë. Pra nëse duam të ndërtojmë një zgjidhje të drejtë patjetër që opozita të kyçet në të gjitha proceset – deklaroi Lupço Ristovski, Instituti për Demokraci “Integra”.

Nga ana tjetër ish shefi i diplomacisë Lubomir Fërçkovski në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se është e pamundur të arrihet ky konsensus kombëtar. Megjithatë kjo çështje shpejtë do të zgjidhet, ndërsa përgjegjëse do të jetë Qeveria.

Nuk do të ndërtohet konsensus I tillë. Vullneti politik rreth konsensusit është I kuptueshëm, secili politikan e dëshiron atë për këso çështjesh edhe mundohet ta promovojë. Megjithatë, zgjidhja do të jetë e qëndrueshme, e atillë që të mos cenojë dinjitetin dhe identitetin kombëtar. Dhe për këtë përgjegjësinë do ta bart elita politike, gjithnjë ka qenë kështu, në të gjitha shoqëritë, për këso çështjesh kyçe. Dhe në këtë kuptim do të absorbohet, mendoj se pas një apo dy muajsh kjo çështje do të pushojë së qeni temë -tha Lubomir Fërçkovski, Ish Ministër i Jashtëm.

Përfshirjen e opozitës në proceset e rëndësishme siç janë negociatat për emrin dhe miratimin e reformave urgjente prioritare disa herë e ka kërkuar edhe bashkësia ndërkombëtare.